Një haker shqiptar adoleshent që hakeroi videot e lojës Grand Theft Auto 6 (GTA) është dënuar me burgim të përjetshëm në një spital psikiatrik. Arion Kurtaj me origjinë nga Shqipëria por që jeton në Oksford, është autik dhe ishte një anëtar kyç i bandës ndërkombëtare Lapsus$.
Sulmet e bandës ndaj gjigantëve të teknologjisë duke përfshirë Uber, Nvidia dhe Rockstar Games i kushtojnë firmave gati 10 milionë dollarë. Gjykatësi tha se aftësitë dhe dëshira e Kurtajt për të kryer krim kibernetik nënkuptonin se ai mbetej një rrezik i lartë për publikun.
Gjykata dëgjoi se Kurtaj kishte qenë i dhunshëm gjatë qëndrimit në paraburgim, ku ka pasur dhjetëra raportime për plagosje apo dëmtime materiale. Mjekët e konsideruan Kurtaj të papërshtatshëm për tu gjykuar për shkak të autizmit të tij të rëndë, kështu që jurisë iu kërkua të përcaktonte nëse ai i kreu apo jo aktet e supozuara, jo nëse e bëri këtë me qëllim kriminal.
Pavarësisht se i konfiskuan laptopin, Kurtaj arriti të shkelte Rockstar, kompaninë mëmë të GTA, duke përdorur një Amazon Firestick, televizorin e tij të hotelit dhe një telefon celular. Kurtaj vodhi 90 klipe të Grand Theft Auto 6 të pa publikuar dhe shumë të pritur.
Ai depërtoi në sistemin e brendshëm të mesazheve Slack të kompanisë dhe duke i shkruar: Nëse Rockstar nuk më kontakton në Telegram brenda 24 orëve, do të filloj të publikoj videot e hakeruara.
Më pas ai postoi klipet dhe kodin burimor në një forum me emrin e përdoruesit TeaPotUberHacker. Janë 12 akuza ndaj Kurtajt, duke përfshirë kërcënime, mashtrim, dhe keqpërdorim kompjuterik. Por për shkak të autizmit akut, ai u konsiderua i papërshtatshëm për gjykim, por një juri më vonë e bëri atë përgjegjës për hakimet.