Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta, në doza, duke arrestuar dy trafikantët.
Gjatë aksionit të koduar “Corner”, policia ka sekuestruar heroinë të paketuar në kuti shkrepësesh, gati për shitje, dhe një shumë parash, me vlerë rreth 2.6 milionë lekë të rinj, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale
Në Fier gjatë operacionit “Corner” u arrestuan shtetasit Artan Mërtiri, 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe Ervis Tika 32 vjeç, banues në Grecalli. U procedua penalisht shtetasi Aldo Hamzaj.
Ja njoftimi i plotë i policisë:
Fier
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Corner”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Seksioni Operacional në DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje dhe një shumë parash, me vlerë rreth 2.6 milionë lekë të rinj, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Vihen në pranga 2 bashkëpunëtorët në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Fierit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Corner”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. M., 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe E. T., 32 vjeç, banues në Grecalli, Fier.
Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “15 Tetori”, Fier, duke i shitur lëndë të dyshuar narkotike heroinë, shtetasit A. H., 24 vjeç, banues në Fier, i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasve A. M. dhe E. T., si dhe gjatë kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, paketime (kuti shkrepsesh) që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, një shumë e konsiderueshme parash të valutave të ndryshme, me vlerë rreth 2.600.000 lekë të rinj, 10 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.