HPV, rritet ndërgjegjësimi: 90% e vajzave 13-vjeçare të vaksinuara në Fier

Rreth 90 për qind e vajzave 13-vjeçare në Fier i janë përgjigjur thirrjes për vaksinimin kundër HPV-së gjatë katër viteve të fundit. Që prej vitit 2022, kur vaksina u aplikua për herë të parë, interesi i prindërve ka ardhur vazhdimisht në rritje.
Sipas mjekes Blerta Muskaj, vetëm në Qendrën Shëndetësore numër 1 janë regjistruar 305 raste vaksinimi, çka dëshmon për një ndërgjegjësim të lartë, edhe pse nuk kanë munguar rastet e refuzimit.
Vaksina HPV tashmë është pjesë e Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit edhe për djemtë. Megjithatë, në Fier, prindërit kanë zgjedhur që ta aplikojnë atë edhe më herët, duke e siguruar privatisht, të bindur për përfitimet që ofron në parandalimin e sëmundjeve serioze.
Mjekja Muskaj shpjegon se efektet anësore të vaksinës janë të ngjashme me ato të vaksinave të tjera dhe kalojnë lehtë, pa komplikacione. Ajo apelon për prindërit skeptikë që të mos hezitojnë ta aplikojnë vaksinën tek fëmijët e tyre, pasi ajo parandalon disa lloje kanceri.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik në Fier, nga tre bashkitë Fier, Roskovec dhe Patos, interesin më të lartë për vaksinimin HPV e ka shfaqur Patosi, i ndjekur nga Roskoveci dhe më pas Fieri.









