Mallakastër – Familja Ahmetaj nga Poçemi i Mallakastrës denoncon marrjen që u është bërë një pjesë të tokës së tyre nga shteti, për shkak të ndërtimit të segmentit rrugor që lidh autostradën Levan-Tepelenë me Vlorën. Kryefamiljari Guri Ahmetaj i bën apel qeverisë dhe bashkisë Mallakastër që të dëmshpërblehet.
Guri Ahmetaj nga Poçemi i Mallakstrës jeton me gruan 72-vjeçare, ndërsa fëmijët i ka në emigracion pasi në Shqipëri nuk mund të nxirrnin jetesën. Ai tregon se në vitin 1996 ka blerë afro 8 dynym toke me tapi. Por ndërtimi i segmentit rrugor që lidh autostradën Levan-Tepelenë me Vlorën, qe kalon nga Poçemi i ka marrë 350 metra katror tokë që e ka me hipotekë, nga të cilat 300 metra janë marrë për shtesën e re të stacionit të pompave të ujit dhe 50 metra tek ish-mulliri i vjetër 300-vjeçar për bllokun e saraçineskave. Me nisjen e punimeve i moshuari kundërshtoi duke kërkuar të drejtën për pronën e tij, por thotë se e kanë larguar me forcë.
I moshuari i bën apel qeverisë dhe bashkisë Mallakastër që të dëmshpërblehet, pasi i është marrë pjesë nga prona për qëllime publike
ALB365 është interesuar për problemin e kësaj familjeje, teksa kryebashkiaku i Mallakastrës ka pohuar se në dijeninë e tij nuk janë paraqitur pretendime për pronën, duke shtuar se nëse ka pretendime duhet të paraqesin dokumentacionin dhe në bazë tij të merret dëmshpërblimi që i takon.