POLITIKËTOP-NEWS

Imuniteti i Ballukut / Meta: Rama instaloi paprekshmërinë, u dha siguri të tjerëve të vazhdojnë vjedhjet për llogari të tij

Presidenti i Partisë së Lirisë në një intervistë ekskluzive për portalin “Syri. net” thotë se Rama instaloi paprekshmërinë e tij dhe u dha siguri të tjerëve të vazhdojnë vjedhjet për llogari të tij

(PJESA E PARË)

Z. Meta, si e vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit Rama, lidhur me refuzimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku?

Si qëndrimin më të sinqertë që ka mbajtur ndonjëherë lidhur me Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai u tregua shumë i vërtetë kur shpalosi publikisht devizën e tij se lufta kundër korrupsionit po bëhet më e dëmshme se vetë korrupsioni.
Ky qëndrim nuk ka të bëjë me Znj. Balluku, por me kapjen e tij në flagrancë si paracaktuesi i çdo “tenderi” në Shqipëri.

Ai ka të drejtë të jetë i pakënaqur me SPAK-un e tij, se kur ata mbyllën sytë për firmën zyrtare që ai hodhi duke i dhënë 8% avantazh kompanisë që nuk ekzistonte fare për inceneratorin, përse e bëjnë kaq të madhe kur ky urdhëron marrjen e tenderave në telefon për kompani që ekzistojnë dhe që kanë edhe të punësuar.

Për shembull, pronari i “Prestige Resort”, nuk kishte fare të punësuar kur i hodhën në erë në mënyrë të paligjshme një resort të tërë dhe madje në kulmin e sezonit  turistik, kur dhjetra turistë të huaj u lebetitën për gjithë jetën.
As pronarët e shumë bujtinave në Theth nuk kishin asnjë të punësuar, atë moment në të gdhirë, kur investimet e tyre u rrëzuan përdhe, pa vendim gjykate dhe turistët e huaj dolën në rrugë.
Vetëm Biznesmenët dhe bizneset që urdhëron ky të fitojnë tendera kanë të punësuar dhe të drejta.

Çfarë shënon ky hap i Kryeministrit Rama dhe PS për Reformën në Drejtësi?

Shënon fundin e “telenovelës” populiste “Drejtësi me Regji” dhe pengim të hapur edhe të drejtësisë që e kapi vetë në çdo qelizë, natyrisht me përkrahjen e paepur të sorosistëve diplomatë dhe politikanëve në të dy anët e oqeanit Atlantik.

Padyshim edhe me marrëzitë e drejtuesve të opozitës që nga djegia e mandateve dhe pasojat e gjithanshme të këtij vendimi katastrofik edhe për t’i lehtësuar Ramës kapjen e gjithë institucioneve të reja të drejtësisë.
Raporti i fundit i Transparency International, tregon bindshëm përkeqësimin e korrupsionit me 11 vende në renditjen botërore të Shqipërisë gjatë vitit të fundit, aq sa edhe Z. McAllister e theksoi publikisht në Tiranë.
Shqipëria është vendi që shpenzon më shumë nga buxheti i shtetit për investimet publike në infrastrukturë dhe në këtë aspekt është më keq sa i takon kriterit të konvergjencës me BE se para 10 viteve apo në raport me vendet e rajonit.

Po kështu, Shqipëria përfiton më pak fonde nga BE për rrugët, sepse rrugët as nga cilësia fizike dhe as nga kostot e tyre nuk duhet të bëhen sipas standardeve europiane, por sipas standardeve “rilindase”.
Nëse SPAK apo Prokuroria e Korçës do të kishte shkuar menjëherë në vend kur u shemb rruga Korçë-Ersekë para dy vitesh, jam i sigurt se jo vetëm do gjente prova flagrante të krimit dhe korrupsionit, por edhe sot ndoshta një pjesë e rrugëve të reja nuk do ishin shembur.
Çdo vepër publike e shembur apo jofunksionale, si hidrovori i ri i Durrësit, është një skenë krimi dhe korrupsioni.

Përfundimisht, me bllokimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku, Rama instalon hapur paprekshmërinë e tij dhe u jep siguri të gjithëve që vjedhin për llogari të tij, që ta shtojnë dozën (ma Nalt).
Njëkohësisht, jo vetëm zhbën Reformën në Drejtësi, të miratuar 10 vjet më parë, por e kthen çështjen e imunitetit të zyrtarëve para vitit 2012.

Dy ditë më parë dëgjova Z. Arben Malaj që kujtonte se pas zgjedhjeve të 2009, deputetët e PS në atë kohë, kishin deklaruar heqjen dorë nga imuniteti vullnetarisht.

Regresraporti me Drejtësinë po bëhet gjithmonë e më interesant.
Ndaj dhe Rama ka hequr dorë edhe publikisht nga kriteret e Kopenhagenit, që u konfirmua në editorialin e Z. Vuçiç që e firmosi edhe ky në Frankfurter Allgemeine Zeitung më 28 shkurt 2026, ku Edi Rama vetëm për interesa personale minon aspiratën mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian, por jo vetëm kaq por minion edhe të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Europian. Dhe si shpërblim për këtë bashkëfirmosje Vuçiçi pak ditë më pas deklaroi se qëllimi i tij nuk është Serbia në BE por rikthimi i Kosovës nën Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button