Incidenti/ Lady Gaga ndërpret koncertin në Sydney

Lady Gaga u detyrua të ndalonte për pak çaste koncertin e saj të fundit të turneut “Mayhem Ball” në Sydney të premten mbrëma, pasi një nga balerinët e saj rrëshqiti dhe ra nga skena për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
Sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, këngëtarja 39-vjeçare po interpretonte këngën “Garden of Eden” në stadiumin Accor Stadium, kur balerinët u afruan drejt pjesës së përparme të skenës së lagur nga shiu. Gjatë lëvizjes koreografike, balerini Michael Dameski rrëshqiti dhe përfundoi jashtë platformës së skenës.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Lady Gaga ndaloi performancën, ngriti duart duke i kërkuar stafit të ndalonte muzikën dhe iu drejtua mikrofonit duke thënë: “Vetëm një sekondë”. Ajo më pas zbriti nga skena për të pyetur balerinin: “A je mirë?”
Këngëtarja vendosi të pezullojë përkohësisht koncertin, në mënyrë që balerinët të përshtateshin me kushtet e vështira të motit. Pas disa minutash, shfaqja rifilloi normalisht.
Sipas raportimeve, Dameski nuk u lëndua dhe u rikthye në skenë për të përfunduar koncertin. Më vonë, vetë balerini reagoi përmes Instagram Stories, duke falënderuar fansat për mesazhet e shumta dhe duke konfirmuar se është mirë.
“Jam i lumtur që munda ta përfundoj shfaqjen e fundit të vitit,” shkroi ai, duke publikuar edhe një video ku shfaqej duke kërcyer gjatë koncertit.
Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi Lady Gaga ishte sërish në qendër të vëmendjes mediatike, kur një person i identifikuar si Johnson Wenn, i përfshirë më herët në një sulm ndaj Ariana Grande, u nxor jashtë nga koncerti i saj në Brisbane, vetëm disa orë para nisjes së shfaqjes. Video nga ngjarja tregonin publikun duke e fishkëllyer teksa ai shoqërohej jashtë nga sigurimi i stadiumit.









