“Një infeksion vdekjeprurës që është i vështirë për t’u trajtuar po përhapet me shpejtësi me një ritëm alarmant”, – thotë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA. Bëhet fjalë për Candida auris, një infeksion kërpudhor. Raporti thotë se në vitin 2021 pati 1471 raste në SHBA gati dyfishi i vitit 2019 kur pati vetëm 756 raste.
Njerëzit e shëndetshëm nuk janë në rrezik nga Candida auris, por ata me sistem të dobët imunitar ose që përdorin pajisje mjekësore si ventilatorë ose kateterë dhe që vuajnë nga sëmundje të rënda, mund të humbin jetën. Shumica e të sëmurëve të testuar rezultuan imunë ndaj trajtimit anti-mykotik.
Për këtë arsye CDC e ka quajtur atë një “kërcënim urgjent të rezistencës antimikrobike”. Shumë pacientë janë në spitale dhe shtëpi të të moshuarve. Një në tre pacientë me këtë infeksion humb jetën.
“Është ende e vështirë të vlerësohet roli i saktë që ka luajtur Candida auris tek pacientët vulnerabël”, – tha epidemiologia e CDC, Dr. Meghan Lyman, autorja kryesore e raportit. Infeksioni u raportua për herë të parë në SHBA në vitin 2016. Rritja më e shpejtë e rasteve ishte nga viti 2020 deri në vitin 2021, sipas të dhënave të CDC të publikuara në Annals of Internal Medicine.
Një tjetër arsye shqetësuese ishte shtimi i rasteve që ishin “rezistente ndaj ekinokandinave” që është ilaçi antimykotik më i rekomanduar për trajtimin e infeksionit. CDC ia atribuon rritjen e rasteve parandalimit të ulët për infeksionin në institucionet e kujdesit shëndetësor. Situata mund të jetë përkeqësuar edhe për shkak të krizës në spitale dhe sistemet e shëndetit publik gjatë pandemisë Covid-19.
Dr. Lyman, tha për CBS News se rritja e rasteve “thekson nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme, kapacitete të zgjeruara laboratorike, teste më të shpejta diagnostikuese dhe respektimin e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit”. Edhe vende të tjera gjithashtu kanë parë një rritje të rasteve të Candida auris. Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e përfshiu atë në listën e saj të “patogjenëve me përparësi”.