Në datën 3 Mars opozita do të dalë në rrugë për të protestuar mbi skandalet dhe keqqeverisjen e Ramës, që nga McGonigal te Ballkani i Hapur, shpopullimi apo korrupsioni. Por caktimi i protestës kombëtare në të njëjtën ditë që Gjykata e Apelit merr vendim për vulën dhe logon e PD-së shenjon edhe rrugën që do të marrë aksioni politik i opozitës, atë që Berisha e quan një revolucion paqësor.
Në anën tjetër, Enkelejd Alibeaj këmbëngul në kërkesën për vulën dhe logon e Partisë Demokratike, jo për të udhëhequr ndonjë fraksion demokratësh drejt betejave të reja, por më shumë si epitaf i një gupimi politik që dikur udhëhiqej nga Lulzim Basha.
Trupi gjykues që do të marrë vendim përbëhet nga Elona Mihali relatore dhe anëtarët Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja dhe variantet se çfarë mund të ndodhë në Apel janë si më poshtë:
- Gjykata lë në fuqi vendimin e gjykatësit Agron Zhukri
Rreth një vit më parë, në datën 25 Mars të vitit 2022, gjykatësi Agron Zhukri mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së duke njohur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demoktatike të 11 dhjetorit.
Ndryshimet e Statutit i hapën rrugë primareve brenda partisë dhe legalizuan fraksionet. Një nga ndryshimet kryesore që u miratuan në statutin e ri është i ashtuquajturi neni “Basha”, ku kryetari i partisë lë mandatin menjëherë nëse humb zgjedhjet parlamentare dhe votëbesohet nëse humb zgjedhjet vendore.
2. Gjykata vendos që vula i takon Alibeajt
Menjëherë pas vendimit, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi ankimimin në Apel. Sipas tij, gjykatësi Agron Zhukri ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.
Sipas Alibeajt, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata. Nuk dihet nëse Apeli do t’i japë të drejtë Alibeajt, në kushtet kur Partia Demokratike de facto drejtohet tashmë nga Sali Berisha, ka ngritur strukturat e reja, ka zhvilluar primaret dhe po bëhet gati për zgjedhjet e 14 Majit.
Por gjykata e dha një sinjal, kur pranoi ankimin e Alibeajt. Grupimi i Berishës, ka pretenduar se Alibeaj nuk ishte palë në proces. Si i tillë ai nuk kishte të drejtë ankimimi. Por gjithsesi, Gjykata e Apelit, ia pranoi ankimimin.
3. Gjykata shtyn vendimmarrjen
Që vendimi për këtë gjyq mund të merrej për 30 sekonda, është një pohim që juristët e shprehin vazhdimisht në studio televizive. Por gjykatësit nuk e kanë me ngut.
Po bëhet një vit që kur Alibeaj ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe çështja është zvarritur për të mbajtur peng partinë më të madhe të opozitës. Tensioni në PD i shërben qeverisë dhe gjykatësit janë bërë pjesë e lojës. Ndaj nuk është çudi që gjykatësit ta shtyjnë vendimmarrjen, qoftë edhe për arsye banale. Në këtë rast, kandidatët e PD do të hynin në zgjedhjet lokale me logon e Partisë së Lirisë, që në këto zgjedhje i ka lënë fushë të lirë Partisë Demokratike.
4. Gjykata kthen çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë
Varianti i mbajtjes peng të partisë më të madhe në opozitë, ka edhe një formë tjetër. Gjykata mund të rikthejë çështjen për rishqyrtim në shkallën e parë. Sërish në këtë rast, do të aktivizohej formula e përfaqësimit me instrumentat ligjorë të Partisë së Lirisë, siç ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Mbetet për t’u parë reagimi i Partisë Demokratike, nëse gjykata i heq për të dytën herë të garojë me logon e saj.
Gjatë protestës së fundit para parlamentit, kur Taulant Balla përmendi 3 Marsin, kreu i demokratëve Sali Berisha e komentoi me tone kërcënuese variantin që e lë PD pa logo për zgjedhjet e 14 Majit.
“Për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon!” ishin fjalët e Berishës.