AKTUALITETTOP-NEWS

Kisha në fshatin Strum drejt shkatërrimit total, Bashkia Rroskovec fajëson  Ministrinë e Kulturës

Rroskovec – Kisha e “Shën Gjergjit” në fshatin Strum  të bashkisë Rroskovec ndodhet duke rrezikuar shkatërrimin e plotë.

Lajmi është konfirmuar nga kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila në një prononcim për mediat ka deklaruar se Bashkia e Roskovecit prej disa vitësh i ka dërguar kërkesa zyrtare Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje urgjente dhe rindërtimin e kësaj kishe me vlera të veçanta kulturore.

Sipas kryebashkiakes, kisha e Strumit përfaqëson një pasuri të rëndësishme jo vetëm për zonën, por për të gjithë trashëgiminë kulturore dhe muzeale të vendit, ndaj nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Nga ana tjetër, studiuesi dhe shkrimtari Maksim Zarka ka theksuar rëndësinë arkitekturore dhe historike të objektit. Ai pohon se kisha është ortodokse, por me tipare ndërtimore të një kishe katolike, pasi është e gjatë dhe me një bazilikë tepër të veçantë, çka e bën atë unike në llojin e saj.

Aktualisht, vëmendja mbetet te Ministria e Kulturës, e cila pritet të ndërmarrë hapa konkretë për sigurimin e fondeve të posaçme dhe nisjen e procesit të restaurimit të kishës së Strumit.

Ky objekt kulti vizitohet jo vetëm nga banorët e zonës dhe studiuesit, por edhe nga turistë të shumtë, duke e bërë ruajtjen e saj një domosdoshmëri.

Apeli është i qartë: institucionet përgjegjëse, Bashkia Roskovec, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Kulturës duhet të reagojnë sa nuk është vonë, për të shpëtuar një monument që po zhduket para syve të të gjithëve. / ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button