Klerikët e autoritarizmit
Fakti që sot ka intelektualë që pranojnë të punësohen si "përfaqesues të popullit" tregon se ne si shoqëri nuk kemi mësuar asgjë nga e shkuara

Nga Irena Beqiraj – Paralelizmi i Neomalësores që kryeson listën e mbyllur të Partisë Socialiste në Shkodër me Lenka Çukon ka shkaktuar shumë reagime, që nga Kanadjaa, Strasburgu e deri në Dukagjin.
Edhe vetë Marjana ndjehej e keqardhur pasi, sipas saj, ajo ka lindur dhe është rritur në demokraci dhe si një vajzë që ka studiuar “shkenca politike”, nuk ka asnjë lidhje me realizmin socialist.
Mbase paralelizmi me Lenkën, një kooperativiste nga Lushnja, mund të ketë qenë jo shumë i goditur për një vajzë nga Dukagjini. Shkodra, djepi I kulturës dhe emancipimit, ku kam miq e mikesha të ngushta më shumë se në Vlorën ku kam lindur, ka pasur në të kaluarën shumë gra zonja, nga familje të shquara, të cilat i ka respektuar komuniteti dhe kanë qenë gjithashtu deputete të Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
Ndër to po sjell si referencë dhe si shembull zonjën Terezina Marubi, përfaqësuese e dinastisë qytetare Marubi, por edhe vetë një intelektuale e zonja e nderuar e Shkodrës, për të shmangur ndonjë keqkuptim apo kuptim të përcipët por dhe që neomalësorja Marjanë të mos i referohet më realizmit socialist, sepse nuk po flasim për metodat letrare edhe artistike. Dikush që ka studiuar shkenca politike nuk mund të gabojë se referencat janë për fenomenet që mbajnë në këmbë autokracitë e diktaturat, jo për stigmatizime personale. Pra po sjell zonjën Terezina Marubi si referencë e llojit të përfaqësimit të asaj kohe.
Për ta shpjeguar më qartë, larg çdo ngjyrimi që mund të keqkuptohej si sulm personal po zhvendosem edhe në kohë edhe ne hapësire.
Në librin e tij të vitit 1927 “La trahison des clercs” (Tradhtia e intelektualëve) eseisti francez Julien Benda vëzhgoi dhe përshkroi njerëzit e veçantë që mbështetën autoritarizmin e kohës së tij i cili kishte marrë forma edhe të majta dhe të djathta në të gjithë Evropën. Ai përshkruan aty si ideologët e djathtë, ashtu edhe të majtë, duke i akuzuar të dy palët për tradheti ndaj detyrës qëndrore të intelektualit, e cila eshte kërkimi i të vërtetës dhe jo favorizimi i besimeve të veçanta politike. Në mënyrë sarkastike, ai i quajti këta intelektualë “nëpunës” ose klerikë të besimeve politike.
Njesoj si klerikët e përshkruar nga Benda , Terezina Marubi, përtej vlerave të saj personale apo cilësive të admirueshme qytetare, nuk ishte në kërkim të së vërtetës. Edhe po të donte, nuk mund ta bënte.
E zgjedhur nga partia, pavarësisht vlerave, ajo e kishte të vështirë, pothuaj të pamundur të ngrihej kundër dhunës apo represionit të shtetit të Diktaturës së Proletariatit. Ajo, si shumë te tjerë intelektualë, punëtorë apo kooperativistë ishte e detyruar të zezën ta bënte bardhë dhe të duartrokiste e të ngrinte dorën, të votonte e bindur siç e donte regjimi komunist i kohës.
Ne si shoqëri i përçmuam për gënjeshtën e madhe që na shitën, për konformizimin e tyre si dhe për mungesën e kurajos karshi autoritarizmit. Jehona e ketij përçmimi ka arritur deri tek brezi i ri, por me sa duket jo mësimi prej tij.
Fakti që sot ka intelektualë që njësoj si znj. Marubi pranojnë të punësohen si “përfaqesues të popullit” më shqetëson, sepse tregon se ne si shoqëri ose nuk kemi mësuar asgjë nga eksperienca jonë e hidhur e të shkuarës, ose më keq akoma, e kemi humbur mësimin.
Ne akoma vazhdojmë të ushqejmë besimin e gabuar se autoritarizmi i përket vetëm komunizmit. Autoritarizmi është qasje, jo një grup idesh. Autoritarizmi nuk ka asnjë lidhje të brendëshme me të majtën apo të djathtën. Ai thjesht është alergjik ndaj debatit dhe mendimit ndryshe brenda çdo ideologjie.
Që prej kohës se Çezarit, e më pas të Musolinit edhe Hitlerit, Stalinit dhe Enverit e deri në kohët të sotme të Orbanit, Erdoğanit edhe Edi Ramës, që autoritarizmi të ketë sukses ka nevojë të mbështetet në një grup elitash të cilët e kuptojnë që roli i tyre i vetëm është shërbimi ndaj udhëheqësit, sado i pandershëm të jetë ai e sado i madh të jetë korrupsioni.
Ata nevojiten të argumentojnë se shkelja e kushtetutës apo shtrembërimi i ligjit është gjëja e duhur për të bërë. Ata duhet manipulojnë pakënaqësinë dhe të kanalizojnë zemërimin dhe frikën. Vetëm në regjime autoritaritare intelektualët punësohen nga partia si përfaqësues të popullit, pasi kjo është e vetmja menyrë për t’u siguruar bindjen e tyre ndaj punëdhënesint dhe realizimin e objektivave të tij.
Ndaj sot regjimit autoritar personalist të Edi Rames, gjithçka i nevojitet janë paratë dhe kandidatët ose “klerikët”. Parimet politike, planet për veprime specifike nuk kanë më asnjë rëndësi. Rëndësi ka vetëm mënyra sesi këta “klerikë” projektohen nga propaganda e tij . Ndaj edhe Marjanat na ofrohen si një realitet alternativ i cili formulohet me kujdes, me ndihmën e teknikave moderne të marketingut, segmentimit të audiencës dhe fushatave në media qofshin këto edhe të huaja.
Por punët janë edhe më zi sesa mund ti paramendojë Marjana e vetëkënaqur në këto momente. Punësimi si “përfaqësues i popullit” në Partinë Socialiste ku Marjana pretendohet se do të sjellë ndryshimin tani dhe ndryshe nga më parë mund edhe të trashëgohet. Po në Shkodër, në krah të Marjanës është trashgimtarja e babait deputet, i cili pa asnjë marré ja trashëgon vajzës përfaqësimin.
Në kohën viktoriane ishte e pa denjë të përmendje pantallonat në sy të një zonje . E ndoshta njësoj mund te duket e padenjë të përmendesh fenomenin Lenka tek të rinjtë si Marjana, të cilët kanë lindur në demokraci edhe ndoshta (jo për faj të tyre) askund e askush nuk ua ka mësuar historinë edhe fenomenet e saj.
Por një komb që harron mësimet e të kaluarës ka shumë gjasa t’i përserisë ato madje t’i perkeqësojë ato siç po ndodh sot në Shqipëri.
Artikulli i Irena Beqiraj shkruar enkas per Lapsi.al