Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIKrifca del bllof për fondet IPARD/ Brukseli: Nuk ka raste si Shqipëria!

Krifca del bllof për fondet IPARD/ Brukseli: Nuk ka raste si Shqipëria!

Në 14 korrik, Komisioni Evropian informoi qeverinë shqiptare se kishte pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Vendimi ekstrem i Brukselit, u komentua si një procedurë administrative normale nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca. Madje sipas saj, parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda. Deklarata e Krifcës rezulton e pavërtetë, pasi vetë Komisioni Evropian konfirmon për Faktoje se nuk ka marrë ndonjë masë të ngjashme me vende të tjera, veç Shqipërisë.

Nga Esmeralda Topi

Në korrik të këtij viti, teksa Shqipëria priste të niste programin e mbështetjes në bujqësi IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian pezulloi përkohësisht fondet, bazuar në dyshimet se ka pasur korrupsion në shpërndarjen e tyre.

Në një letër drejtuar qeverisë shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural informonte mbi mangësitë serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri.

Por këtë masë ekstreme ndaj Shqipërisë, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca e komentoi si një procedurë normale administrative.

“Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE.”, shkruhet në njoftimin e ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Madje, gjatë seancës përmbyllëse të parlamentit, Krifca shtoi se parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda.

“Nga të 27 vendet e Bashkimit Evropian vetëm dy prej tyre nuk ka pasur parregullsi apo shpërdorim po të doni të fondeve. Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe po marr vetëm vende të zhvilluara, janë vetëm disa nga vendet ku janë gjetur problematika të ndryshme dhe secila nga këto vende është detyruar të rimbursojë fondet në Komision.”, tha ministrja nga foltorja e Kuvendit.

Por në një reagim të posaçëm për Faktoje, Komisioni Evropian përmes një zëdhënësi, konfirmon se vendimi për Shqipërinë është i paprecedentë.

“Nuk ka pasur raste të ngjashme.”, shkruhet në përgjigje, duke theksuar se pezullimi është një masë parandaluese për të mbrojtur interesin financiar të BE-së, teksa hetimi i OLAF vazhdon.

“Autoriteteve shqiptare u është kërkuar t’i përgjigjen letrës dhe të propozojnë masa korrigjuese, sipas nevojës, mbi bazën e informacionit paraprak të marrë nga OLAF dhe siç u është komunikuar atyre nga DG AGRI. Megjithatë, një shkëmbim më i detajuar do të bëhet në një fazë të mëvonshme, pasi të jetë në dispozicion Raporti Përfundimtar i OLAF. Si masë paraprake, Komisioni ka ndërprerë për momentin pagesën e tremujorit të parë 2023 (457 239 euro).”, thotë zëdhënësi i KE-së, teksa shton se, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare në përputhje me rrethanat, kur OLAF të dorëzojë Raportin Përfundimtar.

“Në rast se nuk konfirmohen indikacionet fillestare të problematikave, masat parandaluese thjesht hiqen dhe pagesat e ndërprera rifillojnë ekzekutimin. Në të kundërtën, nëse këto çështje konfirmohen, rikuperimi i fondeve do të bëhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e Marrëveshjes Kuadër dhe Marrëveshjes Sektoriale të lidhur nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Shqipërisë për programin IPARD II.”, thuhet në përgjigjen për Faktoje, ndërkohë që theksohet roli kyç i autoriteve shqiptare në zbatimin e programit.

“Programi IPARD zbatohet nën të ashtuquajturin “menaxhimi indirekt”. Kjo do të thotë se autoritetet shqiptare kanë një rol kyç për të siguruar që programi IPARD të zbatohet në përputhje me rregullat e BE-së në fuqi dhe që shpenzimet e BE-së në kuadër të këtij programi të kontrollohen në mënyrë efektive. Nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale edhe në të ardhmen, me kusht që të merren masat e nevojshme korrigjuese nga autoritetet shqiptare për të garantuar që interesat financiare të Bashkimit Evropian janë të mbrojtura në mënyrë të duhur.”, shprehet Komisioni Evropian përmes zëdhënësit.

Ilir Pilku, një nga tre ekspertët e certifikuar nga BE-ja në Shqipëri, për “Politikat e Përbashkëta Evropiane” thotë se në përfundim të raportit të OLAF, Shqipërinë e presin këto rrugëzgjidhje:

“Janë vetëm dy forma që zyrtaret e OLAF mund të shprehen në raportin final: Çështje me shkelje administrative, disiplinore etj, për të cilat jepen rekomandime dhe afate për t’i rregulluar. Çështje abuzuese/korruptive, për të cilat ka vetëm një veprim: Rikthim të vlerës se dakortësuar dhe penalizim në organet e drejtesisë së shkaktuesve.”

Në të gjitha rastet, sipas tij, AZHBR-së i jepet e drejta të mbrojë dhe argumentojë papajtueshmerinë me pretendimet e zyres së OLAF-it, si dhe të negociojë për uljen e vlerës së dëmit ekonomik.

AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë nuk japin ‘llogari’

Dy autoritetet shqiptare të përfshira direkt në këtë çështje delikate, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural dhe Ministria e Bujqësisë nuk i janë përgjigjur kërkesës tonë për informacion.

Në vend të informacionit të kërkuar nga Faktoje, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural na vuri në dispozicion linkun e njoftimit për shtyp që shpërndau ministria e Bujqësisë, si reagim ndaj pezullimit të fondeve.

Edhe procesi i ankimimit për mosmarrjen e informacionit të kërkuar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dështoi. Institucioni që duhet të ndërmjetësojë këtë të drejtë, i legjitimoi ‘heshtjen’ AZHBR-së.

“… Ankesa juaj është jashtë objektit të ligjit për të drejtën e informimit dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet më tej.”, shkruhet ndër të tjera në shkresën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Hetimi në Shqipëri me ritëm breshke

Tre vite më parë, OLAF angazhoi edhe prokurorinë shqiptare për hetim të fondeve të AZHBR, por ende nuk ka një rezultat.

Të dhënat e siguruara nga Faktoje përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se çështja për programin IPARD II u regjistrua fillimisht në SPAK, por dy vite më vonë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli moskompetencë. Dosja u përcoll Prokurorisë së Tiranës.

“Nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, moskompetenca është shpallur pasi kanë munguar elementët e veprave penale të korrupsionit pasiv, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,” thotë Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria e Tiranës e regjistroi procedimin për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal më 17 nëntor të 2022. Por deri në këtë fazë të hetimit ende nuk ka persona në hetim.

“Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka personat të cilëve u është regjistruar emri në regjistrin e njoftimeve të veprës penale. Çështja është ende në hetim dhe në këtë fazë nuk mund t’u jepet informacion më i detajuar.“, shprehet Prokuroria e Tiranës për Faktoje.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërsa, OLAF, pas një kërkesë për informacion, sqaroi Faktoje se zakonisht nuk jep komente për rastet që mund të trajtojë.

“Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si edhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale”, shkruhet në përgjigjen zyrtare të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME