Krishtlindjet, besimtarët kremtojnë festën në Kishën e “Shën Gjergjit” – Më pak pjesëmarrje këtë vit.

Fier – Edhe qytetarët fierakë kanë kremtuar festën e Krishtlindjeve, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë iu drejtuan Kishës së “Shën Gjergjit” në Fier, ku ndezën qirinj për shëndet, paqe dhe mbarësi, kryen ritualet fetare dhe më pas ndoqën meshën e posaçme të mbajtur me këtë rast.
Atmosfera festive u shoqërua me lutje dhe reflektim shpirtëror, ndërsa mesazhi i Krishtlindjes u përcoll si thirrje për dashuri, solidaritet dhe shpresë mes njerëzve. Klerikët theksuan rëndësinë e bashkimit familjar dhe vlerave njerëzore, sidomos në një kohë të vështirë për shumë familje shqiptare.


Megjithatë, qytetarë dhe besimtarë pohuan se këtë vit është vënë re një pjesëmarrje më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas tyre, numri i besimtarëve dhe i emigrantëve që janë kthyer për festat ka qenë më i vogël, duke e lidhur këtë fenomen me shpopullimin dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.





Besimtarët shprehen se, pavarësisht vështirësive, Krishtlindjet mbeten një festë shprese dhe besimi, duke uruar që vitet në vijim të sjellin më shumë mirëqenie, kthimin e familjarëve nga emigracioni dhe një jetë më të qëndrueshme në vend.









