AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Kriza e çmimeve godet fermerët e Sukut 1 dhe 2. Pikat e grumbullimit po e marrin kastravecin me gjys çmimi ose pa lekë

Rroskovec – Fermerët e serave në zonën e Sukut 1 dhe Sukit 2 po përballen me një situatë të vështirë ekonomike, duke vënë në pikëpyetje vijimin e aktivitetit të tyre bujqësor. Shkak kryesor është bërë rënia e ndjeshme e çmimit të kastravecit në pikat e grumbullimit.

Sipas vetë fermerëve, vetëm katër ditë më parë një kilogram kastravec tregtohej me rreth 400 lekë të vjetra, ndërsa aktualisht çmimi ka rënë në 200 lekë, madje në disa raste  po grumbullohet pa çmim. Kjo situatë ka bërë që prodhimi të dalë nën kosto, duke i vendosur ata përballë humbjeve të mëdha.

“Me këto çmime nuk mbulojmë as shpenzimet minimale, jo më të nxjerrim fitim,” shprehen fermerët, të cilët theksojnë se investimet për farëra, plehra kimike dhe mirëmbajtjen e serrave janë gjithnjë në rritje.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë një kg kastravec shitej me 600 lekë. Sot në treg një kg kastravec po shitet me 1000 deri 1500 lekë të vjetra.

Një tjetër problem serioz mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre, gjithnjë e më pak persona janë të gatshëm të punojnë në bujqësi, çka e vështirëson edhe më shumë situatën në terren.

Përballë këtij realiteti, shumë fermerë paralajmërojnë se mund të detyrohen të braktisin serrat dhe të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit, duke e thelluar më tej krizën në sektorin bujqësor në zonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button