Rënia e fuqisë blerëse ka bërë që shumë tregtarë fruta-perimesh në Fier të braktisin këtë biznes. Syri Televizion bëri një vëzhgim në markatën e qytetit, ku dikur shisnin rreth 100 tregtarë, ndërsa sot janë vetëm 65 të tillë. Ndërkohë, në një tjetër treg në Fier, nga 150 vende për shitësit, janë të zëna vetëm 10 përqind e tyre.
Më shumë se një e treta e tregtarëve, që dikur shisnin në markatën e fruta –perimeve në Fier, sot nuk gjenden më. Në këtë ambient, siç shihet nga pamjet, shumë vitrina janë bosh, pa tregtarët që shesin e pa qytetarët që të blejnë.
Kjo markatë operon prej 25 vjetësh në Fier; dikur shisnin rreth 100 biznese, ndërsa sot, numri është ulur në vetëm 65. Shkak, sipas atyre që ende vijojnë punën në këtë treg, është ulja e konsumit dhe fuqisë blerëse.
Qytetarët gjithashtu shprehen, se këtë vit çmimet janë të ulëta, por nuk kanë para të blejnë, ndërsa në markatë duken thjesht si shëtitës.
I boshatisur është dhe tregu tjetër i fruta-perimeve në administrimin e bashkisë, që ndodhet në dalje të qytetit të Fierit. Në këtë treg, nga 150 vende për të kryer aktivitet, janë të zëna vetëm 10 përqind të vitrinave, ndërsa pjesa tjetër është bosh.ALB365