Kur shteti s’jep punë, nuk ka të drejtë të kërkojë faturë.

Nga Eevin Resuli
E kuptoni realisht ku kemi arritur si popull?
Ne jemi popull që përditë ngjitemi nëpër male për të mbledhur rigon, sherebelë, fiq të egër ,fiq deti , manaferra, gorricë, menë, kërcejmë në kanale pas zhabrave, kapim ndonjë ngjalë apo peshk, dhe pastaj rrugëve mbledhim kanaçe, tela hekuri e gjithfarë mbetjesh metalike – i shesim për të blerë bukën e ditës. Kjo është Shqipëria reale. Jo ajo që tregojnë raportet statistikore me grafikë që nuk përfaqësojnë askënd përveç zyrtarëve që i firmosin.
Në këtë Shqipëri të përvëluar nga varfëria, ku mbijetesa është akt heroik, ju guxoni e flisni për fiskalizim, etiketë produkti, gjurmueshmëri… A thua se jemi Gjermania! Jemi kthyer në një lloj favela braziliane – ku mbijeton kush kap më shpejt ç’të mundet për të çuar diçka në sofrën e fëmijëve. Në vend që të shohim realitetin në sy, flasim për Evropë me një hipokrizi të neveritshme.
Unë nuk jam kundër zhvillimit. Jam kundër imitimit të verbër e masiv, atij fenomeni absurd ku sapo dikush hap një kafene, të nesërmen hapen dhe 10 të tjera; dikush fillon agroturizëm, të nesërmen kemi një mijë tabela “Guesthouse”. Dikush shet qumësht, dhe papritur të gjithë bëhen “blegtore të suksesshëm”. Kjo nuk është strategji, kjo është kaos. Dhe ky popull nuk ka më luksin të rrojë në kaos. Ka nevojë për një strategji kombëtare afatgjatë, të menduar thellë dhe të zbatuar me seriozitet.
Merrni shembullin e kompanisë japoneze në Fier. Punëson 3000 vetë në tri turne, dhe ka bërë që shumë familje të zonës të heqin dorë nga 1, 2 apo 5 lopët që mbanin për të mbijetuar dhe të punojnë me pagë të qëndrueshme. Me 500 mijë lekë për tre anëtarë të familjes, ata sigurojnë të ardhura më të qëndrueshme dhe dinjitoze sesa mund t’u japin lopët për dhallë.
E njëjta gjë ndodhi me Italinë pas Luftës së Dytë Botërore. Ishin po fshatarët italianë që lanë arat, kafshët dhe kasollet për të punuar në fabrika, për të marrë pagë mujore, për të ndërtuar të ardhmen. Industria në zonat rurale e shpëtoi Italinë nga mjerimi dhe informaliteti. Dhe askush nuk i quajti “të jashtëligjshëm” sepse lanë lopën për të punuar ne fabrikat e Fiatit. Ata qe mbeten ne fshat rritën fermat se u liruan tokat dhe formalizuan sektorin sepse u rriten dhe benë biznes me blegtorinë e tyre apo arat e fshatit .
Zgjidhja është e thjeshtë – jo për populistët, por për ata që vërtet duan të ndërtojnë këtë vend:
Sillni këtu industrinë, jo represionin!
Z. Kryeministër, nëse vërtet e doni këtë vend, mos i bini në gjunjë Melonit për azilkërkuesit, por bindeni të hapë një filial të Fiat-it në Shqipëri.
Thuaji Macron-it të sjellë një linjë të Alstom-it për prodhimin e pjesëve të trenave.
Thuaji holandezëve të sjellin Philips-in për prodhim elektronik.
Thuaji gjermanëve të sjellin një filial të Gea Farm Technologies për pajisje blegtorale.
Mbushi zonat rurale të Shqipërisë me filiale të kompanive të mëdha ndërkombëtare, ku të rinjtë dhe të moshuarit të punojnë me kontratë, me sigurime, me rrogë mujore.
Vetëm atëherë do ta shikosh se askush në fshat s’do mbajë më lopët e mjerimit. Askush s’do dalë më me bidonë plastike për të shitur qumësht. Askush s’do mbledhë rigon në mal për të mbijetuar.
Jo sepse i ndaloi ligji, por sepse u krijua një alternativë më dinjitoze, më e qëndrueshme, më njerëzore.
Sepse ky është thelbi i një shteti: të japë mundësi, jo të ngrejë thupra mbi të dobtit.
Dhe nëse s’doni apo s’mundeni ta bëni këtë, mos guxoni të na flisni për etiketa, gjurmueshmëri, ose për ndalimin e “dhallës pa faturë”. Sepse ne s’jemi ende shtet. Ne jemi ende një mbijetese kolektive me instinkt. Dhe për sa kohë do të jemi kështu, është turp t’i kërkosh të varfrit të jetë korrekt për diçka që as vetë shteti s’e ka bërë kurrë për të: të jetë i drejtë me të.












