OP/ AN

KUSH BËHET KRYETAR I PD APO KUSH E RRËZON PS DHE RAMËN?

Nga Përparim Gjeka

Duket sikur ka një urgjencë në Partinë Demokratike nga figura apo grupime relativisht të reja në moshë për një reformë dhe drejtim të rinovuar të partisë per fitore te zgjedhjeve lokale të 2027. Në fakt kjo është vërtet urgjente, por është urgjente për arsye të tjera nga ato që po dëgjojmë të kërkohen dhe mënyra se si kërkohet vërteton në vetvete se askush prej tyre jo vetëm që nuk ia ka idenë si bëhet dhe as fuqinë për ta bërë, por as edhe nuk e meriton të jetë në krye të partisë më të madhe opozitare në vend.

E para dhe më kryesorja, duket se këta naivë politikë nuk ia kanë idenë se opozita në fakt kërkon një lidership që është i aftë dhe krijon frymën e duhur për të rrëzuar urgjentisht kryeministrin në detyrë të kapur në flagrancë në vjedhje të qeverisë së tij, në mbrojtje të vjedhjeve të qeverisë së tij, në kundërvënie të pushtetit gjyqësor e kështu në minim të demokracisë edhe ashtu të brishtë shqiptare. Nëse këtë nuk po mundet ta bëjë Berisha si njeriu i vetëm që ka arritur ta mundë njëherë Ramën në zgjedhjet e përgjithshme 2009, këtë nuk arriti ta bëjë as Basha në krye të PD kur ishte bashkë me Berishën, si njeriu i vetëm që kishte arritur ta mundte njëherë Ramën në zgjedhjet lokale 2011, me çfarë besimi dhe kredencialesh pretendojnë këta të rinjtë me gjithë jetën e tyre politike nën hijen dhe lëmoshën e Berishës, t’i marrin këtij partinë dhe ta çojnë në fitore? Askush nuk do një Basha tjetër në krye të PD.

Me gjithë hapësirën mediatike pa kufizim që këta kanë dhe kanë pasur gjithmone në dispozicion, në sytë e demokratëve të thjeshtë, opozitarët më të zëshëm, më me ide e më të artikuluar, me gjithë kufizimet e tyre, përsëri janë tre drejtuesit aktualë të PD, kryetari Berisha, Sekretari i Përgjithshëm Noka dhe kreu i grupit parlamentar Bardhi.

E dyta dhe më thelbësorja është se megjithëse rrëzimi i qeverisë është jo vetëm urgjente por edhe e habitshme se si po reziston akoma, kur me gjithë ato skandale qeveritare dhe personale të kryeministrit në detyrë që e ka marrë rrugën “Bel(l)a Ciao”, nuk ka opozitë që të organizojë “Rama Ciao” me dhjetëra e pse jo qindra mijëra protestues nëpër rrugët e Tiranës. Kush i pengon këta ta organizojnë nëse janë të zotët? E pra, kush është ai grupim që organizon protestën “Rama Ciao” është opozita e vërtetë dhe ajo që do formojë elitën e re politike të vendit. Madje renia e Rames nuk mjafton. Urgjenca për një lidership kompetent bëhet kyçe sepse PS aq e organizuar si parti dhe frymë mund të dalë parti e pare ne zgjedhje edhe me Erion Braçen kryetar.

E treta, opozita e vërtetë, e fortë, sfiduese, fituese nuk është vetëm denoncimi i aferave korruptive të qeverisë, sepse tashmë çdo shqiptar e di se ka një qeveri të korruptuar në palcë që ndan të ardhurat e vendit me oligarkinë kriminale dhe bosët rajonalë të narkotrafikut, në aq pak duar, sa edhe socialistët nuk e duan qeverinë e tyre. Opozita e vërtetë është përballje, jo kthyerje prapanice, përballje me ide politike në radhë të parë, me goditje politike që vënë kundërshtarin me shpatulla për muri, jo të kthesh vetë fytyrën nga muri apo sytë nga tavani. Përballja pa ide është hapje shalësh. Dhe idetë që nuk po mbron kjo opozitë parlamentare e madhe apo e vogël qoftë dhe prandaj nuk mbështetet nga populli janë këto:

  • Mosnjohja e zgjedhjeve dhe delegjitimimi i parlamentit – në fakt të gjithë u futën si delet bashkë me ujqit në Kuvend.
  • Referendum për abrogimin e ligjit të (pa)barazisë gjinore që u fut dhunshëm në Parlament – në fakt ky referendum që për ne aktivistët e komisionit nismëtar për referendumin PRO FAMILJES është një maratonë e lodhshme ligjore, për opozitën është vetëm një kërkesë me 28 firma deputetësh.
  • Futja për miratim në Kuvend e ligjit për minimumin jetik, rritje e pensioneve etj. – Nëse PS nuk e voton, atëherë është një goditje politike për të dhe shtimi i radhëve të opozitës.
  • Reformë zgjedhore urgjente dhe zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike tranzitore, e panegociushme. Ligji zgjedhor të bëhet demokratik, i barabartë për të gjithë, parti të mëdha e të vogla, individë nga vendi dhe diaspora, sistemi elektoral të hapet dhe të zgjidhen vërtet ata që i njeh, i respekton dhe i do populli në zonën e vet zgjedhore.
  • Iniciativa institucionale, por edhe private në favor të rizgjimit kombëtar, patriotizmit, forcimit të rolit të mërgatave shqiptare në vendet ku jetojnë, nisma në dobi të ripopullimit të vendit etj.

Mund të ketë dhe patjetër që ka edhe shumë lëvizje të tjera politike që një opozitë të bëhet e besueshme në popull dhe tmerr për hajdutët në qeveri. Kjo kërkon punë të përditshme e kërkime shkencore për të rrokur vërtet çfarë duan, çfarë kërkojnë e çfarë meritojnë shqiptarët. Pse deputetët që ne i paguajmë me taksat tona nuk prodhojnë përditë ide dhe goditje politike, por na lënë akoma në mëshirën e kësaj qeverie të papërgjegjshme?

Perparim Gjeka
29.11.2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button