Kush do të fundoset nga “Sky Ecc”/ Altin Dumani takohet me kryeprokurorin holandez.

Kush do të fundoset nga “Sky Ecc”, Altin Dumani takohet me kryeprokurorin holandez, a do të sjellë në Tiranë kreu i SPAK përgjimet voluminoze të pushtetarëve të lartë të korruptuar që ka në duar Holanda?
Elmas Bogdani
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, (SPAK) Altin Dumani ndodhet në Holandë në kuadër të një konference ndërkombëtare mbi luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, një event i organizuar nga autoritetet holandeze, ku marrin pjesë prokurorë nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore. Në këtë kontekst, ambasada holandeze në Tiranë ka publikuar dje një deklaratë ku nënvizon rëndësinë e këtij takimi, duke theksuar përkushtimin e Holandës për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.”Trafiku i organizuar i drogës dhe pastrimi i paligjshëm i parave nuk ndalen në kufij, dhe as qasja e Holandës për të luftuar këto çështje. Nga data 25 deri më 28 mars, Holanda po pret një konferencë të rëndësishme ku marrin pjesë prokuroritë kryesore nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, së bashku me aktorë të tjerë.
Aktiviteti u hap nga Ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë i Holandës, z. David van ëeel. Konferenca synon të forcojë dhe koordinojë përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar serioz dhe të ndajë perspektivat e përbashkëta. Prokuroria holandeze është krenare që ka mirëpritur në këtë aktivitet të veçantë në emër të Shqipërisë, Z. Altin Dumani, Drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Megjithatë, përtej deklaratave formale, mbetet për t’u parë nëse ky takim do të sjellë në Tiranë informacione të reja dhe të dobishme për hetimet që po zhvillohen në Shqipëri nga SPAK, siç janë përgjimet SKY, pasi Holanda është një nga shtetet që ka qindra faqe ku dalin biseda të kriminelëve dhe emra zyrtarësh të korruptuar në vendin tonë.
Çfarë fsheh “Sky Ecc”?
Sistemi i komunikimit të koduar “Sky Ecc” ka qenë një ndër armët më të forta të drejtësisë europiane për të zbuluar rrjetet e krimit të organizuar. Përgjimet e këtij sistemi kanë nxjerrë në pah veprimtari kriminale të gjerë, duke përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit, përfshirë politikën, median dhe drejtësinë. Ky sistem u deshifrua pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve të disa vendeve europiane, si Belgjika, Franca dhe Holanda, të cilat arritën të depërtojnë në komunikimet e grupeve kriminale dhe të grumbullojnë prova të pakundërshtueshme.
Por këto të dhëna nuk janë ndarë tërësisht me Shqipërinë. Altin Dumani konfirmoi pak kohë më parë, se vendet perëndimore kanë mbajtur një pjesë të konsiderueshme të materialeve për vete dhe nuk kanë treguar transparencë të plotë në ndarjen e tyre me autoritetet shqiptare. Kjo mungesë e aksesit të plotë e ka vështirësuar punën e SPAK në goditjen e rrjeteve kriminale të lidhura me Shqipërinë. Kjo do të thotë se nëse marrëveshjet e reja me autoritetet holandeze funksionojnë, SPAK mund të marrë të dhëna të reja që mund të çojnë në hetime të rëndësishme dhe ndoshta edhe në arrestime të bujshme. Një gjë është e sigurt, se takimi i Dumanit me kryeprokurorin holandez është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet e SPAK për të çuar përpara luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Përgjimet e “Sky Ecc” janë një thesar i vërtetë informacionesh që mund të fundosin shumë figura të rëndësishme. Nëse SPAK arrin të sigurojë të dhëna të reja nga autoritetet holandeze, kjo mund të përshpejtojë procesin e ndëshkimit të korrupsionit në nivelet më të larta. Në të kundërt, nëse këto të dhëna mbeten jashtë Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar mund të mbetet e cunguar, me shumë nga ata që kanë përfituar nga korrupsioni që mund të vijojnë aktivitetet e tyre të pandëshkuar. Në javët e ardhshme, mbetet për t’u parë nëse ky takim do të sjellë rezultatet e shumëpritura, apo nëse do të mbetet thjesht një tjetër premtim në letër.