Thursday, June 20, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAKush është Hamasi që bëri kërdinë në Izrael?

Kush është Hamasi që bëri kërdinë në Izrael?

Botuar në radion “Europa e Lirë”-

Grupi palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor një sulm të befasishëm nga Gaza në Izrael. Hamasi vrau mbi 300 izraelitë, 1800 u plagosen dhe 100 gra e fëmijë janë rrëmbyer.

Ngjarja u përshkrua si një nga përshkallëzimet më serioze të konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.

Kur u themelua Hamasi?

Hamasi, ose Lëvizja e Rezistencës Islamike, u themelua në vitin 1987 gjatë kryengritjes së parë palestineze. Ai mbështetet nga Irani shiit dhe ndan ideologjinë islamike të Vëllazërisë Myslimane, e cila u krijua në Egjipt në vitet 1920.

Hamasi udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007, pas një lufte të shkurtër civile me forcat besnike të lëvizjes Fatah, e cila udhëhiqet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Ai është i vendosur në Bregun Perëndimor dhe gjithashtu kryeson Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Marrja e Gazës nga Hamasi pasoi fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare palestineze në vitin 2006 – njëherësh hera e fundit që u mbajtën. Hamasi e akuzoi Abbasin për komplot kundër tij, ndërsa Abbas e përshkroi atë që ndodhi si grushtshtet.

Që atëherë, kishte shpërthime të shpeshta të konfliktit me Izraelin.

Hamasi refuzon ta njohë shtetin e Izraelit dhe kundërshton dhunshëm Marrëveshjet e Oslos për Paqe, të negociuara nga Izraeli dhe PLO-ja, në mesin e viteve 1990.

Hamasi ka një krah të armatosur, të quajtur Brigadat Izz el-Deen al-Qassam, i cili dërgon njerëz të armatosur dhe kamikazë në Izrael. Hamasi i karakterizon aktivitetet e tij të armatosura si rezistencë kundër pushtimit izraelit.

Grupi është pjesë e një aleance rajonale, që përfshin Iranin, Sirinë dhe grupin islamik shiit, Hezbollah, në Liban. Të gjithë ata kundërshtojnë gjerësisht politikën e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Izraelin.

Derisa bazën e ka në Gazë, Hamasi ka mbështetës në të gjitha territoret palestineze dhe ka liderë të shpërndarë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.

Ku gjendet Rripi i Gazës?

Rripi i Gazës është një territor prej 41 kilometrash i gjatë dhe 10 km i gjerë midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Atje jetojnë rreth 2.3 milionë njerëz.

Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë dhe vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e saj kufitare. Në mënyrë të ngjashme, Egjipti kontrollon se kush hyn dhe del përmes kufirit të tij me Gazën.

Si shpërtheu dhuna e fundit?

Mes Izraelit dhe Hamasit ka tensione të vazhdueshme, por sulmi i fundit ndodhi pa paralajmërim. Hamasi gjuajti mijëra raketa në Izrael, ndërsa dhjetëra luftëtarë të tij shkelën kufirin dhe pushtuan komunitetet izraelite, duke vrarë dhjetëra civilë dhe duke marrë robër të tjerë.

Izraeli filloi menjëherë sulmet ajrore, duke thënë se ka në shënjestër objektet e militantëve në Gazë. Zyrtarët lokalë thanë se më shumë se 200 njerëz u vranë.

Ku qëndron problemi?

Bregu Perëndimor dhe Gaza, të cilat njihen si territore palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake.

Këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdhe i tyre i lashtë.

Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Palestinezët përdorin gjithashtu emrin Palestinë si një term ombrellë për Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME