
Është vlerësuar se 1 në 8 burra diagnostikohet me kancer të prostatës në një moment të jetës së tyre, zakonisht pas moshës 65 vjeç. Sot, shumica e pacientëve i mbijetojnë sëmundjes dhe gjithnjë e më shumë burra po jetojnë jetën e tyre pa pasur nevojë për trajtim.
Që nga fundi i viteve 1980, mjekët kanë qenë në gjendje të zbulojnë shumicën e kancerave të prostatës përmes një analize të thjeshtë dhe të lirë të gjakut, të njohur si PSA, e cila zbulon një proteinë të quajtur antigjen specifik i prostatës. Ky test ka revolucionarizuar mënyrën se si diagnostikohet kanceri i prostatës, duke u lejuar mjekëve ta kapin atë ndërsa është ende i shërueshëm. Që nga viti 2021, gati 98% e burrave me kancer të prostatës ishin gjallë të paktën 5 vjet pas diagnozës së tyre.
Trajtimet tradicionale për kancerin e prostatës – të tilla si radioterapia dhe heqja kirurgjikale e të gjithë gjëndrës – mbeten efektive, por ato shpesh vijnë me efekte anësore që ndryshojnë jetën. Por sot, përparimet teknologjike dhe qasjet më të reja të trajtimit po zgjerojnë ndjeshëm opsionet në dispozicion të pacientëve. Ja çfarë duhet të dini rreth trajtimeve moderne të kancerit të prostatës.
Kirurgjia
Për pacientët me tumore të mëdha, me rritje të shpejtë që ende nuk janë përhapur përtej prostatës, kirurgjia dhe radioterapia janë ende trajtimet e linjës së parë dhe të dyja janë shumë efektive në eliminimin e sëmundjes.
“Ajo që pacientët në fund të fundit duhet të zgjedhin” – shpjegon Dr. Freddy Hamdi, kreu i Departamentit të Shkencave Kirurgjikale në Universitetin e Oksfordit, “nuk është aq shumë efektiviteti i trajtimit sesa efektet anësore që ata janë të gatshëm të durojnë.”
Shumica e burrave që i nënshtrohen prostatektomisë përjetojnë një shkallë të caktuar të mosfunksionimit erektil dhe mosmbajtjes urinare, veçanërisht në periudhën fillestare pas operacionit.
Terapia me rrezatim
Burrat që i nënshtrohen radioterapisë kanë relativisht më pak të ngjarë të përjetojnë probleme erektile ose urinare, por pak më shumë të ngjarë të përjetojnë çrregullime të zorrëve ose të zhvillojnë lloje të tjera të kancerit më vonë.
Burrat më të rinj dhe ata pa probleme të tjera të mëdha shëndetësore mund të shërohen më lehtë nga një prostatektomi, ndërsa burrat më të vjetër ose ata me gjendje të caktuara, të tilla si sëmundjet e zemrës, mund të mos jenë kandidatë të përshtatshëm për këtë procedurë.
Terapia fokale
Teksa kirurgjia dhe radioterapia synojnë të gjithë prostatën, terapia fokale përqendrohet ekskluzivisht në pjesën e gjëndrës që përmban qeliza kancerogjene, duke e lënë pjesën tjetër të gjëndrës të paprekur. Urologët përdorin një sërë teknikash, duke përfshirë ultratinguj të fokusuar me intensitet të lartë, krioterapi dhe terapi me lazer.
MRI multiparametrike ka treguar sukses të jashtëzakonshëm në zbulimin e tumoreve të dyshimta.
Terapitë fokale kanë treguar rezultate inkurajuese në provat e hershme klinike, thotë Dr. Kristen Scarpato, drejtoreshë e programit të rezidencës së urologjisë në Universitetin Vanderbilt megjithëse ato ende konsiderohen eksperimentale dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar efektivitetin e tyre.
Skarpato, e cila është specializuar në terapinë fokale thotë se kjo shpesh ka më pak efekte anësore sesa trajtimet tradicionale, por paralajmëron se nuk është e përshtatshme për të gjithë.
“Kandidati ideal” për terapinë fokale, thotë ajo, duhet të jetë një burrë me tumore me rrezik mesatar të kufizuara në një zonë të vetme, e cila është qartësisht e identifikueshme në një MRI. Terapia fokale shpesh nuk e eliminon plotësisht kancerin, gjë që rrit rrezikun e përsëritjes.
Imazheria e avancuar
Deri kohët e fundit, testet PSA zakonisht çonin direkt në një biopsi, në të cilën urologët merrnin mostra të rastësishme nga e gjithë prostata. Një mjet i avancuar imazherie, i njohur si MRI multiparametrike, e ka “transformuar” fushën në dekadën e fundit, sipas Skarpato.
Edhe pse ende nuk është gjerësisht i disponueshëm, ky test ndihmon specialistët të identifikojnë shenjat e shoqëruara me tumore agresive, të tilla si anomalitë e indeve ose rrjedhja e reduktuar e gjakut. Shoqata Amerikane e Urologjisë kohët e fundit rishikoi udhëzimet e saj, duke rekomanduar përdorimin e këtij testi aty ku është i disponueshëm.
Terapia hormonale
Një lloj terapie hormonale, e njohur si terapia e privimit të androgjenit, ndihmon në uljen e mundësisë që kanceri të kthehet ose të përhapet në pjesë të tjera të trupit.
Monitorim aktiv i pacientit
Deri rreth 15 vjet më parë, shumica e burrave të diagnostikuar me kancer të prostatës i nënshtroheshin ndërhyrjes kirurgjikale ose radioterapisë. Por kjo ka ndryshuar.
Studimet kanë treguar se pacientët shpesh kanë norma të ngjashme mbijetese me “mbikëqyrje aktive”, në të cilën mjekët vonojnë trajtimin dhe kontrollojnë rregullisht për tumore me rritje të ngadaltë. Gjetjet erdhën si një “surprizë” për shumë ekspertë, thotë Hamdi, studiuesi kryesor i studimit.
Shumë burra me kancer me rrezik të ulët – i cili përbën rreth 43% të diagnozave – mund të jetojnë pjesën tjetër të jetës së tyre pa u dëmtuar shëndetin nga tumoret, shton ai. Si rezultat, gati 60% e pacientëve me kancer me rrezik të ulët tani zgjedhin mbikëqyrjen aktive mbi trajtimin – nga 26% në vitin 2014.
Disa ekspertë besojnë se ky numër duhet të jetë më i lartë. Hamdi thotë se shumë pacientë luftojnë me idenë e “jetesës me kancer për pjesën tjetër të jetës së tyre”, edhe nëse është me rrezik të ulët. Por trajtimi ka edhe rreziqe, dhe një studim i vitit 2023 zbuloi se gati 20% e burrave u penduan që kishin bërë një prostatektomi për shkak të efekteve anësore.
“Nëse ju hiqni prostatën ose ju bëjnë radioterapi, mund t’ju garantoj se do të keni efekte anësore nga trajtimi”, thotë Dr. Kristen Scarpato. “Ajo që nuk mund të garantoj është se trajtimi do të përmirësojë jetëgjatësinë tuaj”.












