AKTUALITET

Saraçi: Rama i ka dorëzuar strukturat e shtetit në Durrës grupeve kriminale

Kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, i ftuar në studion e “Çim Peka Live”, foli mbi situatën alarmante në Durrës, ku sipas tij, listat e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po diktohen sërish nga grupe të strukturuara kriminale, njësoj si në vitin 2021.

Saraçi theksoi se përzgjedhja e emrave nuk bazohet në kontribute politike, por në pazare të errëta që lidhen drejtpërdrejt me eksponentë të botës së krimit dhe strukturave vendore problematike si hipoteka, kadastra dhe porti.

Ai ngriti alarmin se në Durrës veprojnë grupe të cilat kanë vendosur përfaqësuesit e tyre në institucione shtetërore për të kontrolluar territorin dhe përfitimet financiare, ndërsa shprehu shqetësimin se SPAK, pavarësisht dosjeve të shumta dhe informacioneve të ardhura nga autoritetet e huaja, po kufizohet vetëm në prodhimin e transkripteve dhe nuk po ndërmerr hetime të thelluara.

Pjesë nga deklarata:

Durrësi ka një problem shumë të madh. Pamë listën e 2021, se si lista e deputetëve ishte organizuar nga një pazar i grupeve kriminale, direkt nga Edi Rama. Dolen edhe përgjime se kush kishte financuar këto, por duket se edhe lista e 2025 po na del prapë, se është e ndërtuar nga organizata kriminale.

Nëse të shohësh listën e deputetëve të PS-së në Durrës, mund të jenë dy emra që kanë kontribut politik në PS, dhe pjesa tjetër janë ose persona anonimë, ose persona që kanë qenë pikërisht në institucionet kyçe problematike. Kemi dy nga kandidatët që janë deputetë, që kanë qenë drejtues: Ani Dyrmishi, drejtor Hipotekash, dhe Loer Kume, vëllai i Enea Kumës, i cili gjithashtu ka qenë punonjës i Kadastrës Durrës. Pra, duket se Rama nuk ka hequr dorë, sërish, nga organizimi i grupeve kriminale për kontrollin e qytetit të Durrësit. Dhe jo vetëm për Durrësin, por për shkak se po flasim për këtë vend, dhe unë e thashë që në fillim që janë vetëm dy emra me kontribute politike në PS; të tjerët janë ose emra anonimë, ose drejtues institucionesh problematike.

Janë të paktën dy institucione që, sikurse lista e deputetëve të PS-së, edhe ato janë ndarë në bazë të pazareve të organizatave kriminale. E dinë të gjithë thuajse në Durrës, dhe kanë dalë në çdo dosje prokurorie që secila organizatë kriminale që vepron në Durrës ka ose drejtorin ose punonjësin e vet në Kadastrën e Durrësit për të mbyllur punët. E njëjta gjë ndodh në Portin e Durrësit; janë bërë pazare që secili nga grupet kriminale të ketë territorin dhe punonjësin e vet brenda portit.

Ajo që të shqetëson në këtë pikë, sepse krimi zakonisht do të ndikonte deri në nivelet e larta politike, përfshirë edhe tek kryeministri. Ajo që më bën përshtypje është se SPAK ka kohë që po heton këtë dosje, dhe nëse e shikon, hetimi është i bazuar vetëm tek transkriptet që janë marrë nga autoritetet e huaja; ndërkohë që minimalisht edhe prej një viti hetim, dhe gjatë kësaj kohe këta persona duheshin të ishin nën hetim, vëzhgim dhe përgjim.

Në atë që pamë në njoftimin e prokurorisë dhe çfarë kemi mësuar, nuk ka asnjë element të ri hetimor nga ana e SPAK-ut. Kujtojmë që kanë kaluar goxha ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit. Ka vijuar jeta politike dhe kriminale; si dhe u mbajtën një palë zgjedhje, dhe nga ana e SPAK-ut duket, si në disa dosje të tjera, është përqendruar vetëm tek prodhimi i transkripteve dhe nuk ka hetim shtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button