
Nga ALB 365 – Pas viteve ’90, shqiptarët nuk kërkuan luks – kërkuan dinjitet. Kërkuan liri, demokraci, një vend ku të jetonin si njerëz normalë, “si gjithë Evropa”. Dolën në rrugë, përballuan dhunë, rrëzuan një regjim që dukej i përjetshëm. Ishte një sakrificë kolektive, një shpërthim shprese që mbushi çdo qytet, çdo fshat, çdo familje.
Por sot, pas më shumë se tre dekadash, çfarë ka mbetur nga ajo ëndërr?
Një tranzicion i pafund. Një popull i lodhur. Një vend që zbrazet çdo ditë.
Shqipëria nuk po zhvillohet –
Shqipëria po braktiset.
Fshatrat janë kthyer në varreza të gjalla. Dikur me 400-500 shtëpi plot jetë, sot mezi numërojnë 10, 20 apo 50 banorë. Dhe ata? Kryesisht të moshuar, të harruar, që jetojnë mes kujtimeve dhe pritjes. Pritjes për një telefonatë nga fëmijët që kanë ikur larg: “A je mirë? I more ilaçet?”
Kaq ka mbetur nga familja shqiptare në shumë zona rurale.
Të rinjtë nuk largohen më me dhimbje – largohen me vendim. Ikim, ikim, ikim… vetëm të mos rrimë këtu. Sapo mbarojnë shkollën, largohen. Studiojnë jashtë, ndërtojnë jetën jashtë, krijojnë familje jashtë. Dhe nuk kthehen.
Sepse nuk kanë ku të kthehen.
Sepse këtu, realiteti është brutal:
Imoraliteti bën moral.
Hajduti predikon ndershmërinë.
Mashtruesi flet për drejtësi.
Një shoqëri e përmbysur, ku vlerat janë kthyer përmbys dhe ku njeriu i ndershëm ndihet i huaj në vendin e vet.
Punët nuk fitohen me meritë, por me servilizëm. Me lidhje. Me parti. Njerëzit janë kthyer në “kërmij” që zvarriten për një vend pune, duke lëpirë kë të munden, duke përkulur dinjitetin për një rrogë. Familjet detyrohen të rreshtohen politikisht, vetëm që një i afërm të futet në punë.
Kjo nuk është demokraci. Kjo është mbijetesë.
Ndërkohë, politika vazhdon teatrin e saj të neveritshëm. Ditën dalin në terren, takojnë popullin, përqafojnë hallexhinjtë, premtojnë parajsë. Natën mbyllen në restorante luksi dhe bëjnë pazare: si të fitojnë zgjedhjet e radhës, si të mashtrojnë sërish.
Dhe cikli vazhdon. Pa turp. Pa përgjegjësi.
Të rinjtë që tentojnë të hyjnë në politikë shtypen. Goditen. Demoralizohen. U sulmohen familjet, u hiqen të afërmit nga puna, u bëhen presione nga më të ndryshmet. U afrohen para për t’u tërhequr apo të shkojnë pas tyre. Sistemi nuk lejon gjak të ri. “Xhaketat e vjetra” nuk lëshojnë vend.
Sepse ky është një sistem që ushqehet me stagnim*. (Ngecje në vend)
Ndërkohë, Shqipëria tkurret. Jo vetëm si territor njerëzor, por si shpresë. Dikur flitej për 4 milion shqiptarë. Sot, realiteti është i frikshëm: vendi po zbrazet me ritme alarmante. Një komb që largohet nga vetja.
Dhe historia më e dhimbshme nuk është statistika – është njeriu.
Një burrë rreth të 60-ave, i pyetur rastësisht: “Kush është më i moshuari i fshatit?”, përgjigjet me një buzëqeshje të thyer:
“Unë jam.”
Sepse të gjithë të tjerët kanë ikur.
Ky është realiteti. Lakuriq. I pamëshirshëm.
Shqipëria që dikur shtrihej me krenari në gjithë trojet shqiptare, sot është tkurrur në një vend që humbet çdo ditë bijtë e vet. Një vend që nuk arrin t’i mbajë, nuk arrin t’u japë arsye për të qëndruar.
Dhe pyetja që djeg më shumë se kurrë:
Ku po shkon Shqipëria?
Por ndoshta përgjigjja është më e rëndë se vetë pyetja:
Shqipëria nuk po shkon askund.
Shqipëria po lihet pas.
Dhe e vërteta më e hidhur është kjo:
Armiku më i madh i shqiptarëve, shpeshherë, janë vetë shqiptarët.
Dhe në këtë tablo të zymtë, shpesh shqiptarët hedhin sytë nga jashtë. Nga “ndërkombëtarët”. Nga bota. Por lind një pyetje e thjeshtë dhe therëse:
Çfarë është bota për Shqipërinë?
Bota nuk është shpëtim. Bota është interes.
Ndërkombëtarët vijnë dhe ikin. Vijnë të veshur bukur, me fjalë të zgjedhura, me buzëqeshje diplomatike. Vijnë, takojnë, bëjnë fotografi, japin deklarata për “reforma”, për “shtet ligjor”, për “integrim”. Dhe pastaj largohen. Ashtu siç erdhën.
Pas tyre, mbetet i njëjti realitet.
Ata vijnë, krijojnë lidhje, ndërtojnë rrjete, flasin për projekte, për fonde, për zhvillim. Hapin shoqata, fondacione, derdhin para – por shpesh këto para zhduken po aq shpejt sa erdhën. Investime që në letër duken të mëdha, por në terren nuk lënë asnjë gjurmë reale. Para që qarkullojnë, pastrohen dhe zhduken në një sistem ku askush nuk mban përgjegjësi.
Vijnë nga çdo cep i botës – evropianë, amerikanë, aziatikë, afrikanë – dhe të gjithë ikin me të njëjtën lehtësi. Shqipëria për ta është një stacion i përkohshëm, një mundësi, një interes. Jo një mision.
Ndërkohë, këtu poshtë, njerëzit mbeten po ata. Të njëjtët që shohin, që dëgjojnë, që mashtrohen dhe që më pas detyrohen të përshtaten me këtë realitet.
Sepse shembulli që jepet është i qartë:
merr sa të mundesh dhe ik.
Dhe kështu lind një zinxhir i pafund imitimi, ku secili përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, sepse nuk beson më tek ndershmëria, tek puna, tek e ardhmja.
Edhe protestat, që duhet të jenë zëri i një populli, janë kthyer në farsë.
Njerëz që dalin me flamuj të ndryshëm, por me të njëjtin qëllim: një pagesë, një sanduiç, një shishe ujë. Një turmë që lëvizet, drejtohet, kontrollohet.
Protesta “paqësore”, thonë.
Por çfarë ndryshimi ka sjellë kjo “paqësi”?
Sa herë ka ndryshuar realitetin?
Njerëzit dalin, brohorasin, bërtasin, dhe më pas shpërndahen. Dërgohen vërdallë institucioneve, mbahen nën kontroll, qetësohen, harrohen. Dhe gjithçka vazhdon si më parë.
Sepse në thelb, sistemi nuk trembet nga fjalët.
Sistemi nuk ndryshon nga deklaratat.
Historia ka treguar gjithmonë një të vërtetë të ashpër:
Ndryshimet e mëdha nuk vijnë nga rehati.
Vijnë nga përplasje.
Dhe sot, Shqipëria është në një pikë ku njerëzit e dinë që kështu nuk vazhdohet më. E ndjejnë. E përjetojnë çdo ditë. Në boshatisjen e fshatrave, në largimin e fëmijëve, në padrejtësitë që shohin përditë.
Por pyetja mbetet:
A do të vazhdojnë të durojnë?
Apo do të vijë një moment kur ky popull nuk do të pranojë më të jetojë me mashtrimin?
Sepse një gjë është e sigurt:
As ndërkombëtarët nuk do ta shpëtojnë Shqipërinë.
As politika nuk do ta ndryshojë vetë veten.
Nëse ndryshimi do të vijë, ai do të vijë vetëm nga vetë shqiptarët.
Deri atëherë, vendi do të vazhdojë të endet mes shpresës së vrarë dhe realitetit të hidhur – një Shqipëri që pret… por nuk di më se çfarë pret.











