Demi Lovato ribashkohet me Selena Gomez dhe Joe Jonas

Demi Lovato ka arritur një tjetër moment kulmor në karrierë, duke performuar për herë të parë si artiste kryesore në Madison Square Garden në New York.
Koncerti i mbajtur më 24 prill ishte i mbushur plot, me fansat që qëndruan në këmbë gjatë gjithë performancës, ndërsa Lovato interpretoi hitet e saj më të njohura si “Heart Attack”, “Give Your Heart a Break” dhe “Cool for the Summer”, si dhe këngë nga albumi i saj i fundit It’s Not That Deep.
“Ishte një ndjesi e mrekullueshme, të isha atje lart dhe të dija që salla ishte plot me fansa që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe më kanë dhënë kaq shumë dashuri dhe mbështetje gjatë viteve,” tha Lovato për PEOPLE pas koncertit. “Ishte thjesht e pabesueshme.”
Ajo surprizoi gjithashtu publikun me të ftuar specialë: JoJo, me të cilën interpretoi “Too Little Too Late”, si dhe bashkëshortin e saj Jordan “Jutes” Lutes, me të cilin këndoi për herë të parë live një duet. Çifti performoi një version të këngës “Iris” të Goo Goo Dolls, të cilën frontmeni John Rzeznik e kishte kënduar në dasmën e tyre në maj 2025 për vallëzimin e parë.
Sa i përket përgatitjes për një performancë kaq të madhe, ajo tha: “Bëj një nxehje fizike, pastaj ngroh zërin. Sigurisht përgatitem me flokët dhe grimin, dhe përdor edhe Therabreath”.
Koncerti në MSG nuk ishte momenti i vetëm i rëndësishëm i këtij turneu. Në koncertin e parë në Orlando, Florida, më herët këtë muaj, ajo u ribashkua me dy persona shumë të rëndësishëm për karrierën e saj: Joe Jonas dhe Selena Gomez.
Lovato dhe Jonas performuan së bashku “This Is Me” nga Camp Rock si dhe bashkëpunimin e tyre të vitit 2008 “On the Line”, ndërsa Gomez ishte në publik dhe më pas realizoi foto me këngëtaren prapa skenës.
“Këto ribashkime janë gjithçka për mua,” tha Lovato. “Ishte shumë bukur të kisha Selena-n aty. Nuk e kisha parë prej kohësh. Dhe me Joe-n, ishim ribashkuar edhe më parë dhe ishte shumë argëtuese. Ta përjetoja sërish ishte fantastike.”









