Qeveria i transferon Gjendjen Civile/ Banorët e Cakranit të majtë e të djathtë ‘shpërthejnë’ në protestë: Vendim i palogjikshëm…

Banorët e zonës së Cakranit në Fier janë ngritur në protestë këtë të shtunë, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për transferimin e shërbimit të gjendjes civile drejt njësisë administrative të Levanit.
Banorë të zonës, pavarësisht bindjeve politike, janë bërë bashkë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj një lëvizjeje që, sipas tyre, do t’u vështirësojë jetën dhe do t’i largojë shërbimet thelbësore. Protestuesit kërkojnë që zyra e gjendjes civile të mos largohet, duke argumentuar se ky vendim do t’i detyrojë të udhëtojnë distanca të gjata për të marrë shërbime bazë. Një ish-kryetar i komunës së Cakranit, i pranishëm në protestë, theksoi se zona ka rreth 17,000 banorë dhe se transferimi në Levan është i palogjikshëm.
“Jemi njoftuar nëpërmjet mediave që gjendja, shërbimi i gjendjes civile të Cakranit transferohet në Levan. Dhe për këtë ne jemi në kundërshtim plotësisht. Arsyet që e kundërshtojmë janë sepse ne jemi një zonë me gjendje civile prej 17,000 banorësh. Dhe që të transferosh në Levan, ku fshati më i largët nga Levani shkon 27 km, se nga Cakrani në Levan është 20 km, ta transferosh gjendjen civile nuk është gjë e mirë për të gjithë cakranjotët dhe për gjithë zonën tonë. Për gjithë zonën tonë, ku numri i punonjësve të gjendjes civile do të jetë dy në Levan, të marrin një në Levan e një në Cakran dhe Cakrani të mbetet në Cakran. Dhe historikisht neve nuk na lidh asnjë gjë me Levanin. Ne na lidh me Mallakastrën. Dhe e keqja më e madhe është se ne shkojmë në Fier. Po jo të shkojmë në Levan. Jo të shkojmë në Levan. Po ta hedhësh në kritere, ose të shohësh kriteret e Levanit, kriteret e ndarjes territoriale për shembull. Të shikosh kriteret e ndarjes territoriale, Cakrani i plotëson të gjitha kriteret për një bashki. Ku ka shkollë të mesme, ka spital, një spital 24-orësh, ka shkollë nëntëvjeçare, ka 13 fshatra, ka biznese, mbi 13 fabrika vaji, ka markete, ka parukeri, domethënë të gjitha, farmaci, të gjitha kërkesat që do robi i gjen në Cakran”, është shprehur një nga protestuesit.
https://www.facebook.com/share/v/18PkhtDtKH/
Të revoltuar, qytetarët shprehen se ky vendim rëndon jetën e përditshme, sidomos për të moshuarit, të cilët e kanë të pamundur të udhëtojnë rreth 27 kilometra për të marrë shërbimet bazë.
Sipas tyre, një pjesë e madhe nuk kanë as mundësi dhe as njohuri për të përdorur shërbimet online apo aplikacionet në telefonat inteligjentë.
Banorët theksojnë se Cakrani është një zonë me histori dhe identitet të fortë, e përbërë nga 13 fshatra dhe me rreth 17 mijë banorë. Ata e konsiderojnë të pajustifikuar bashkimin e shërbimeve me Levanin, duke kërkuar rishikimin e menjëhershëm të vendimit.
“Është e papranueshme që një komunitet kaq i madh të mbetet pa shërbime pranë. Kjo është një goditje direkte për banorët, sidomos për më të pambrojturit,” u shprehën protestuesit.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë reagimet e tyre nëse institucionet nuk marrin masa për të adresuar këtë problem.









