Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËLleshaj: Oligarkët në Shqipëri kanë në dorë pasurinë kombëtare, naftën, ajrin dhe...

Lleshaj: Oligarkët në Shqipëri kanë në dorë pasurinë kombëtare, naftën, ajrin dhe mineralet

VALENTINA MADANI/ Sandër Lleshaj paralajmëron një kalvar të gjatë bisedimesh të shtrira në kohë në momentin që do të hapen negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së deri në anëtarësimin e plotë.

Në prag të caktimit të datës zyrtare, ish-ministri i Brendshëm thotë për gazetën “Panorama” se Shqipëria duhet të kërkojë një proces të mundshëm dhe të refuzojë futjen në labirinte absurde burokratike. Në të kundërt, thekson Lleshaj, anëtarësimi i plotë do t’i ngjajë përrallës së trishtuar që shqiptarët e shekullit të kaluar besuan për komunizmin. Sandër Lleshaj përmend miliona paragrafë të krijuar nga administrata gjigande e BE-së, një volum prej më shumë se 130 mijë fletë në anglisht, të cilat duhen lexuar, kuptuar dhe zbatuar… Ish-ministri i PS-së flet për kushtëzimet për një anëtarësim të plotë, duke veçuar Reformën në Drejtësi për të cilën shprehet se i mungon dimensioni moral dhe se korrupsioni nuk luftohet me SPAK, por me politikë. Zanafillën e këtij fenomeni shkatërrues ai e sheh te papërgjegjshmëria, naiviteti apo grykësia e atyre që shesin votën. Z. Lleshaj është dyshues ndaj nismës së qeverisë për kultivimin e kanabisit se nuk do të justifikojë qëllimin bazë, për efekte shëndetësore. Z. Lleshaj specifikon se nëse prodhimi i kanabisit mjekësor do të duhej të provohej patjetër, rruga më e mirë do të ishte prodhimi i tij nga një ndërmarrje publike, ashtu si dhe në disa vende të tjera.

Z. Lleshaj, çfarë do të thotë për Shqipërinë hapja e negociatave me BE-në?

Fuqia e idesë së integrimit në BE apo fillimi i negociatave, si një ndër momentet e shumta të këtij procesi, janë zbehur shumë gjatë këtyre dekadave. Aspiratat e bukura kanë kuptim vetëm kur me kalimin e kohës ato bëhen përherë e më të prekshme dhe më reale. Përndryshe ato shndërrohen në iluzione. Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur me aspiratën tonë europiane. Ajo ka mbetur përherë e largët në horizont, e kështu që entuziazmi dhe forca për ta ndjekur atë duket se nuk janë më ato të parat. Një brez i tërë shqiptarësh ka lindur, është pjekur dhe zhgënjyer nën shpresën e integrimit, pa prekur realisht ndonjë gjë substanciale prej tij. Ka kaluar bosh një kohë shumë, shumë e gjatë. Aspiratat e parealizueshme jo vetëm që nuk ndihmojnë, por përkundrazi: ato dëmtojnë. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të shekullit që shkoi e treti jetën nën iluzionin mbërritjes në një shoqëri iluzore ku do të mbretëronte liria, paqja dhe begatia për të gjithë. Pritja ishte e gjatë, sfilitëse, tragjike. Në fund erdhi zhgënjimi i madh kur komunizmi vdiq. Ndaj mendoj se aspirata jonë europiane ka nevojë për një rishikim të thellë. Një gjë është e sigurt: e nesërmja pas konferencës së shumëpritur do të jetë si ditët përpara saj. Konferenca është vetëm një krijesë burokratike me marketing politik, e cila do t’i hapë rrugë një kalvari bisedimesh, fatkeqësisht krejt surreal për kapacitetet tona të limituara.

Sa kohë na duhet që të bëhemi anëtar me të drejta të plota në BE?

Nëse projekti i integrimit tonë në BE do të vijojë të ngrihet mbi bazën e qasjes burokratike të “plotësimit të standardeve”, unë mendoj se energjia jonë do të shkojë dëm. Negociatat, sipas kuptimit burokratik të Brukselit, nënkuptojnë që Shqipëria e vogël të lexojë, të kuptojë dhe të vërë në jetë standarde dhe kërkesa të shumta teknike që përfaqësojnë një volum prej më shumë se njëqind e tridhjetë mijë fletësh në anglisht, të cilat duhen lexuar, kuptuar dhe zbatuar. Vetëm përfytyroni pak se kush do të jenë ata zyrtarë që do ta bëjnë, qoftë edhe thjesht formalisht, këtë punë. Pastaj përfytyroni se kush do t’i zbatojë në praktikë ato miliona paragrafë të krijuar nga administrata gjigande e BE-së dhe e vendeve anëtare të tij. Pra, nëse qasja e Brukselit do të mbetet ajo që është, zbatimi i malit të legjislacionit europian (Acquis Communautaire), nga një vend i vogël që nuk ka as kapacitete njerëzore, por as nevojë për këtë, ne do të futemi në një rrugë pa krye. Pamundësia jonë objektive për t’i kryer këto detyra vetëm sa do t’i ofrojë Brukselit “arsye” dhe alibi të pafundme për ta shtyrë në absurd procesin e anëtarësimit. Vendi ynë, por dhe vendet e tjera si ne, kanë nevojë për një proces tjetër, të thjeshtë, të mundshëm, dhe racional. Ne do të mund t’i plotësojmë standardet europiane vetëm pasi të bëhemi anëtarë, ashtu siç ndodhi me Gjermaninë Lindore apo vendet e tjera të Europës Qendrore që u anëtarësuan ose pa kurrfarë procesi, ose falë proceseve të thjeshta e racionale politike. Që kjo të ndodhë, kërkohet një vullnet i ri politik nga Europa, por edhe një qëndrim i qartë nga Shqipëria. Vendi ynë duhet të shpjegojë në mënyrë të qartë e të ndershme pamundësinë për të plotësuar malin e kërkesave europiane nga jashtë saj, të kërkojë një proces të mundshëm dhe të refuzojë futjen në labirinte absurde burokratike. Përndryshe, ne do të stërmundohemi më kot për të bërë gjëra të pamundura. Me qasjen aktuale të Brukselit dhe të Tiranës, anëtarësimi i plotë i vendit tonë në BE më duket se do t’i ngjajë përrallës së trishtuar që shqiptarët e shekullit të kaluar besuan për komunizmin.

Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet. Çfarë mund ta rrezikojë Shqipërinë përgjatë këtij procesi negocimi me BE-në në aspektin e përmbushjes së reformave dhe cili është përfitimi e shqiptarëve në këtë rast…?

Procesi aktual është thellësisht burokratik dhe si i tillë aspak i dobishëm. Nga një proces i tillë, Shqipëria nuk do të përfitojë ndonjë gjë substanciale, ndërkohë që do të shpërdorojë energji të shumta administrative thjesht për të shkruar letra dhe për të bërë konferenca. Prandaj them se është jetik ngulmimi për të ndërruar thelbësisht qasjen. Ne nuk kemi nevojë të humbim në malin prej 130 mijë fletësh të legjislacionit të BE. Në vend të kësaj, ne kemi nevojë për mbështetjen e Europës për realizmin e disa reformave themelore. Edhe një herë ngulmoj te domosdoshmëria e ndryshimit rrënjësor të qasjes.

Një ndër kushtet kyçe për integrim është Reforma në Drejtësi dhe lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Në gjykimin tuaj si po ecën ky proces reformimi i sistemit gjyqësor?

Ne kemi nevojë të konvertohemi në shqiptarë, pra në europianë dhe jo të shkojmë në Europë. Ne kemi nevojë për një proces të rëndësishëm të reflektimit shoqëror, i cili nënkupton një përtëritje morale të shoqërisë tonë. Për sa kohë që ne do të vijojmë të braktisin vlerat morale, integritetin, besën dhe nderin, që normalisht janë mbi normat juridike, mendoj se do të jetë e vështirë që vetëm në rrugë juridike të transformojmë shoqërinë. Reforma në Drejtësi është pa dyshim një instrument shumë i dobishëm, por njëkohësisht i pamjaftueshëm dhe aspak magjik.

Çfarë i mungon kësaj reforme…?

Edhe asaj i mungon një dimension moral i domosdoshëm. Edhe ajo ka tipare të tepërta burokratike dhe teknike.

Sa do e dëmtojë Shqipërinë përgjatë rrugëtimit europian krimi i organizuar dhe korrupsioni qeveritar?

Korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare, një plagë që i ka bërë vendit tonë dëme shumë herë më të mëdha se sa vetë krimi. Korrupsioni është produkt i zvetënimit moral të shoqërisë tonë, e cila tashmë pothuajse i ka arkivuar disa nga vlerat morale që normalisht duhet të ishin kolonat reale që e mbajnë në këmbë atë dhe vetë kombin. Zanafilla e korrupsionit gjendet tek papërgjegjshmëria, naiviteti apo grykësia e atyre që shesin votën. Të gjithë ata që e shesin atë lirë (të varfrit), ata që e shesin shtrenjtë (të pasurit) dhe ata që e falin (budallenjtë) janë kultivuesit e parë të korrupsionit. Pa shkuar në zanafillën e problemit, është e vështirë të besohet se do të kemi ndonjë sukses real në shpresën kundër korrupsionit. Them shpresën se më duket qesharak përdorimi i termit luftë në këtë rast. Edhe në këtë front, më duket se qasja thjesht teknike, administrative apo vetëm juridike nuk na ndihmon. Te ne goditen për korrupsion ata që bëjnë gabime teknike dhe procedurale. A keni dëgjuar ndonjë herë për shembull të ngrihet akuzë kundër ndërtimit të një rruge në vetvete? Maksimumi i akuzës tek ne përqendrohet te shkeljet procedurale, por asnjëherë nuk arrihet të shtrohet pyetja: Përse u financua kjo rrugë, ky ujësjellës, apo kjo shkollë. Apo edhe ky ligj. Pyetje të tilla nuk mund të jenë juridike, por politike. Ti mund të kesh realizuar procedurën më të përsosur në botë për realizimin e projektit të gabuar dhe ky është korrupsioni më i madh. Në një rast të tillë, ti konsiderohesh juridikisht korrekt, edhe pse ke shkaktuar dëmin maksimal për interesin publik. Ndaj korrupsioni i madh nuk mund të luftohet me SPAK, por vetëm me politikë. Vetëm kur vota të mos shitet, të falet apo të shpërdorohet, mund të shpresojmë për luftë kundër korrupsionit. Gjithçka tjetër i ngjan më shumë kozmetikës.

A janë pasuritë e shqiptarëve në duart e oligarkëve…?

Pasuritë tona kombëtare kanë pësuar disi të njëjtin fat që pësoi rezerva kombëtare e arit. Megjithëse gjatë këtyre tri dekadave është thënë përherë se ekonomia jonë vetëm rritet, pasuritë tona publike, apo kombëtare po të doni, vetëm janë zvogëluar. Ky është një paradoks i madh që kërkon një analizë të thelluar, për të cilën nuk është vendi këtu. Por shkurtimisht, mund të thuhet se mineralet, nafta, gazi, pyjet, ujërat, deti, plazhet e shumë burime të tjera të pasurisë kombëtare nuk krijojnë pothuajse asnjë vlerë të shtuar për shoqërinë. Ato tashmë kanë përfunduar kryesisht në duar privatësh, duke krijuar vetëm humbje për buxhetin publik dhe zgavra në nëntokën dhe mbitokën e vendit. Para disa ditësh, në Munih të Gjermanisë, u ndala te birraria e famshme “Hofbräu”. Ka shumë shqiptarë që e kanë frekuentuar këtë restorant të famshëm, por shumë pak e dinë që ai është pronë shtetërore, pronë (jo e vetme) e qeverisë së Bavarisë. Por, mos u nxitoni të thoni se ky është një model komunist! Jo, bëhet fjalë për një ndër vendet më konservatore të Europës. Nuk po vijoj të përmend se sa është pjesa publike te “Lufthansa”, tek “Volkswagen”, etj. Dhe Gjermania nuk është kampione në këtë fushë, pasi në shtete të tjerë ka shumë më tepër pasuri dhe biznese në zotërim të publikut, duke kuptuar si të tilla, në radhë të parë, ato asete që gjenerojnë të ardhura reale përditë dhe jo thjesht pasuritë natyrore. Për ta mbyllur këtë argument: kur ekonomia rritet dhe pasuria publike zvogëlohet duhet të shqetësohemi. Rritja ekonomike që nuk krijon pasuri të shtuar publike është në rastin më të mirë një anomali shqetësuese. Sa i përket oligarkëve. Te ne ky term duket sikur nuk përkufizohet dhe nuk kuptohet qartësisht. Duke formuluar një përkufizim jo akademik, do të thosha se oligarkët janë ata që marrin si përfitim privat atë pasuri që normalisht i përket publikut.

…a kemi ne të tillë?

Jashtëzakonisht shumë. Janë ata që zotërojnë naftën, mineralet, pyjet, ujërat, plazhet, frekuencat, të drejtat sovrane e shumë asete të tjera publike.

Drejtësia ka një problem të ri së fundmi. Qeveria ka miratuar draftin për hartën e re gjyqësore i shoqëruar me bojkotin e avokatëve, por a është zgjidhja e duhur ndërkohë që Presidentit Meta është shprehur se kjo hartë trondit sistemin…?

Unë nuk besoj se një hartë e re gjyqësore trondit sistemin. Sido që të bëhet organizimi gjyqësor, prej tij do të ketë përfitues apo të dëmtuar në terma relative. Edhe harta e sotme ka përfitues dhe të dëmtuar. Organizimi gjyqësor bazohet në kritere profesionale, financiare, logjistike, etj.. Shqipëria nuk mund të mirëmbajë gjykata eficiente kudo ku janë qytetarët e saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkollat apo spitalet. Në këto raste vlen parimi që edhe qytetari duhet të shkojë tek shërbimi, pasi e kundërta nuk është përherë e mundur edhe pse tingëllon shumë e bukur. Gjykatat duhet të jenë pallate hijerëndë dhe jo kasolle të mjera të drejtësisë. Dhe si të tilla, ato nuk mund të ndërtohen me shumicë dhe kudo. Kjo nuk është thjesht një çështje paraqitjeje dhe solemniteti, por para së gjithash një çështje cilësie që nuk mund të garantohet kudo.

Shqipëria po përballet me rritjen e kriminalitetit, me një ekonomi në kolaps, plot vështirësi për të gjetur burimet e mjaftueshme financiare për zhvillimin e aktiviteteve të saj ndërkohë që vendos të legalizojë me ligj kanabisin në vend. Informaliteti që ekziston në vend a e bën të pamundur menaxhimin e situatës?

Unë jam shprehur për këtë iniciativë edhe përpara disa kohësh tek ju. Në thelb, unë nuk besoj se ajo do të justifikojë qëllimin bazë të shprehur nga autorët e saj. Shpresa për një përfitim të qenësishëm financiar publik është e pa argumentuar. Përderisa tek ne dalin me humbje edhe nafta apo kromi që shfrytëzohen nga privatë, nuk ma merr mendja që kanabisi mjekësor do të sjellë ndonjë ndryshim të tendencave të konsoliduara tashmë. Aq më e qartë bëhet kjo po të marrim parasysh faktin se këtë kanabisin mjekësor e prodhojnë tashmë edhe shumë vende të tjerë, me të cilat konkurrimi nuk është aq i thjeshtë. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë edhe ndërlikimin shtesë që kjo iniciativë do të sjellë për veprimtarinë e organeve ligjzbatuese të cilat gjithsesi janë të mbingarkuara në përballimin e një situate jo të thjeshtë të kriminalitetit.

A është zgjidhja e duhur sipas jush që përfituesi i licencës ose një aksioner i tij, duhet të zotërojë 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së, zotërues i praktikës së mirë të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat dhe të kenë një kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë?

Nëse prodhimi i kanabisit mjekësor do të duhej të provohej patjetër, mendoj se rruga më e mirë do të ishte prodhimi i tij nga një ndërmarrje publike, ashtu si dhe në disa vende të tjera. Por kjo tema e ndërmarrjeve publike këtu ka vdekur që kur filloi zbatimi i vonuar i praktikave të kapitalizmit të Adam Smith, në një kohë që Europa e kishte tejkaluar prej kohësh atë sistem, përmes ekonomisë sociale të tregut.

Përkrahësit e iniciativës thonë se kjo do të nxisë punësimin, eksportet dhe të ardhurat nga taksat dhe tërheqjen e investimeve të huaja, por në të vërtetë a e legalizon krimin?

Në Gjermani, meqë sot po mbetemi te shembujt gjermanë, një fermë bujqësore ka mesatarisht 65 hektarë dhe administrohet si rregull nga një familje. Këtu te ne, kam lexuar se sipërfaqja e mbjellë me kanabis mjekësor nuk do t’i kalojë 150 hektarët. Me kaq sipërfaqe nuk mendoj se mund të ushqejmë iluzionin e ndonjë efekti të ndjeshëm në punësim. Edhe më e vogël do të jetë pritshmëria në elementët e tjerë që ju përmendni. Nga ana tjetër, unë shoh sfida të reja për luftën kundër krimit, ndërkohë që nuk mendoj se ky ligj do të legalizojë krimin. Jo ligji as nuk legalizon krimin, por as nuk e thjeshton luftën kundër tij.

22 | 14:31

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME