Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURË“LUM SI JU…”

“LUM SI JU…”

 Rrëfenjë satirike nga Thoma Goga

   Ishte një herë e një kohë kur “ushqeheshim” edhe me këngë. Ja fjala vjen, para viteve ’90, vendit tonë i kishte dalë nami se “hidhte valle në gojë të ujkut”. Ishim “kështjellë buzë Adritikut”.  Dhe pastaj gra e burra, të rinj e fëmijë këndonin në kor “s’ka forcë në botë/, t’na ndal në rrugën tonë/, revolucioni marshon”. Sa herë që dilte ndonjë grup armiqësor, ushtonte më fort kënga: “Enver Hoxha e prehi shpatën/, dhe një herë o për situatën…”. E kështu rapsoditë ndiqnin njëra-tjetrën, ndërsa ne avazin e vjetër; “lumturoheshim” se s’kishim rrugë tjetër. 

    Do rrëfej një histori që nuk është aspak fantazi. Ka ndodhur andej nga anët tona në fund të viteve ’90. Filluan të vinin emigrantët e parë që ishin larguar, para ose gjatë luftës së dytë botërore. Midis tyre erdhi dhe një zonjë e fisme. U mblodh farefisi dhe e priti siç e do zakoni. Të gjithë e thërrisnin “teze”. Filluan vizitat në Shqipërinë “fener  ndiçues në Europë”. I bënin përshtypje ndryshimet e pasluftës. Shikonte njerëzit që vraponin nëpër punëra të ndryshme. Ishin hapur shkolla, spitale.(Se në luftë nuk kishte fare). Po i bënin përshtypje gjithë ato radha nëpër dyqane. Mësoi dhe fjalën “tollona”. Ca hanin bukë misri, ca bukë gruri. Shikonte fëmijët të pashëndetshëm e të veshur njëlloj; me prodhimet e trikotazhit. Filluan drekat e darkat për Tezen. Kush ta merrte më parë. Farefisi nuk kursehej për mysafiren e rrallë. “Tezja” si gjithmonë në qoshe. Gjatë drekës në një familje, televizioni i vetëm jepte këngë popullore. Doli mjeshtri popullor e gati sa nuk e çau ekranin: “Lum si ne, lum si ti/, Shqipëri që s’ke pleqëri…”.  

    Ngriheshin shëndete, ngriheshin dolli. E Tezja, sikur i mbante iso rapsodit, u përgjigjej shkurt: “Lum si ju…”. Asnjë fjalë tjetër. Nuk fliste më shumë. Vetëm dëgjonte e shikonte. “Lum si ju” te një familje, te tjetra “Lum si ju”, te tjetra po ashtu. Kur donte dhe pak ditë që të largohej, një nga nipërit e pyeti Tezen:

     – Gjatë gjithë këtyre ditëve, na ke thënë “lum si ju”, “lum si ju”. Ç’do të thuash me këtë, moj Teze?

     – Eh, mor njerëzit e mi të dashur,- shfreu Tezja.- Lum si ju që nuk e dini sesi rrojmë ne andej…

    Atë çast të gjithë e kuptuan ku e vërviti llafin Tezja. Edhe pas 30 vitesh, ironia vazhdon akoma. Tani po e shohim se si rrojnë ata andej. Kurse Tezja u “ngop” me “lumturinë” e këngëve dhe iku. Megjithatë nipi dhe fisi nuk e harrojnë. E mori dhe këto ditë në telefon:

    – Ku je moj Teze, ku je? Si të themi tani: Lum si ju, apo lum si ne? Bëre mirë që ike. Si rrojmë ne? Ashtu si na le, ashtu prapë na ke, këtu buzë Adriatikut. Vetëm se  ajo “Kalaja që lëshonte rreze drite”, është bërë  si  “hale” politike…

(TH.G.)

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME