Marinzë – Pas Dyrmishit, edhe për grevistin Selami rëndohet gjëndja shëndetësore. Dërgohet në spital

Grevistët e naftës, në Marinzë/ Fier që prej 9 ditësh ndodhen në grevë urie për kërkesat ekonomike dhe sociale, përballen me një situatë gjithnjë e më shqetësuese për shëndetin.
Pas gjendjes alarmante të Dorian Dyrmishit, tani edhe grevisti Selami është në gjendje të rënduar dhe do të dërgohet menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë tensionin dhe shqetësimin e pjesëmarrësve dhe mbështetësve të protestës.
Situata e grevës së urisë është bërë gjithnjë e më kritike, ndërsa grevistët e naftës po përballen me pasoja serioze shëndetësore. Tre prej 10 grevistëve u është rënduar gjëndja shëndetësore
Selami, një nga protestuesit aktivë në grevë, ka shfaqur shenja të përkeqësimit të shëndetit dhe është vendosur që ai të transferohet në spital për trajtim të specializuar.

Situata e përgjithshme e grevës së urisë
Grevistët janë në ditën e 9-të të protestës së tyre, e cila është shndërruar në një betejë të gjatë për drejtësi sociale dhe përmirësim të kushteve të punës. Sipas Sindikatës së Hidrokarbureve, numri i protestuesve pritet të rritet, ndërsa janë parashikuar edhe masa të reja organizative, përfshirë ngritjen e çadrave për akomodimin e grevistëve të rinj.
Kompania Bankers Petroleum, nga ana e saj, ka refuzuar plotësimin e kërkesave kryesore, duke pranuar vetëm një rritje të vogël në normën e antidotës ushqimore, një masë që grevistët e konsiderojnë të pamjaftueshme.
Thirrjet për ndërhyrje dhe zgjidhje urgjente
Ndërsa situata shëndetësore e grevistëve përkeqësohet, përfaqësuesit e tyre kanë bërë thirrje të forta për ndërhyrje nga qeveria shqiptare. Ata kërkojnë që institucionet të ndërmjetësojnë me kompaninë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë për problemet e tyre.
“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë protestën deri në përmbushjen e kërkesave tona, por shëndeti ynë po rrezikohet seriozisht. Shpresojmë që institucionet të reagojnë para se të jetë vonë,” tha një përfaqësues i grevistëve.
Grevistët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, pagesa të dinjitetshme, trajtim të barabartë me punonjësit e tjerë të sektorit dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me kompaninë.
1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.
2 – Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.
3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.
4- Drejtësi e barazi në shpërblime.
5- Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime











