Kylian Mbappe është gati të bëhet pronari i ri i klubit të divizionit të dytë francez, Stade Malherbe de Caen. Lajmi është bërë publik nga ESPN, media që shkruan se 25-vjeçari do të shndërrohet në lojtarin më të ri aktiv që zotëron një klub profesionist futbolli evropian.
Mbappe do të investojë rreth 15 milionë euro përmes fondit të tij të investimeve Coalition Capital për të blerë 80% të kapitalit të klubit dhe gjithashtu do të paguajë një pjesë të borxhit.
Sulmuesi francez do të zëvendësojë aksionerin e mëparshëm të shumicës, fondin amerikan të investimeve Oaktree, i cili bleu 80% të aksioneve të klubit në vitin 2020. Pjesa e mbetur prej 20% e kapitalit mbahet nga Pierre Antoine Capton, presidenti aktual i bordit mbikëqyrës.