Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËMBLEDHJA E KËSHILLIT TË SIGURISË KOMBËTARE

MBLEDHJA E KËSHILLIT TË SIGURISË KOMBËTARE

Nga Mentor KIKIA

Në mesnatë, vonë, telefonat ranë
Në kor, si kukuvajkat, sekretaret thanë:
“Mbledhje urgjente, në seli të Parisë,
Do të diskutohet fati i Shqipërisë!

Në Pallatin e Madh u futën të tërë:
Ministra, deputetë, prokurorë e gjyqtarë,
Oligarkë të pasur dhe opozitarë.
Mu në bash të vendit dhe ca gazetarë.

Ngarkuar Kadastra me harta në dorë,
Nxitonte të ndizte video-projektorë.

Shqipërinë e shtrinë sa gjatë dhe gjërë,
Të gjithë u sulën ta presin me gërshërë.
Komandanti brofi, nervoz si përherë:
“Me ngadalë, derra, se ka për të tërë!”

“Ti merr Gjirin e Lalzit, ti – Kakomenë,
Ti merre Ksamilin dhe mbylle halenë!

Me Dhërmiun s’ke punë, Jala është e zënë,
Po deshe merr Borshin ose merr tët ëmë.

Portet merri ti, nuk po bëjmë pazar,
Veç na furnizo me naftë e dollarë.”

“Për mua asgjë? I morët të tëra!
I harruat zgjedhjet, sa vota ju bëra?”
Bërtiti dikush me gojën tërë shkumë:
“Boll i ke guroret, çfarë kërkon më shumë!”

Lumenjtë i copëtuan, përrenjtë seç i thanë,
Detin me pëllëmbë, e matën, e ndanë.

Dhe kështu u shitën me fusha e male,
Dhuratë për ditëlindje nja dy hidorcentrale.

U ndanë koncensionet, PPP-të u ndanë!
“Askush të mos qajë, të gjithë do të hanë”

“Prisni!

Po ajrin? Ajrin harruam pa ndarë,
Ta kryejmë dhe k’të punë e na ectë mbarë!”
Me gërshërë e grisën, copë e çikë qiellin,
Në ngastra e prenë dhe Hënën e Diellin.

Edhe retë i zbritën, aty në tepsi
Dhe nisën t’i hanë tërë babëzi.

“Prisni!”

Ministër i Drejtësisë foli i shqetësuar:
“I gjithë ky proces duhet ligjëruar!
Ne s’jemi kusarë, s’jemi as hajdutë,
Jemi shtet ligjor, kemi kushtetutë.”

I pari i Kuvendit foli qetë-qetë:
“Ligjet do t’i bëjmë siç të duam vetë.
Do t’i miratojmë pikë e për pikë,
Kot s’jemi këtu, bashkë me opozitë!”

“Prisni!”

Dikush tjetër briti, tërë ankth e frikë:
“Po populli ç’do bëjë, vesh kur ta marrë?
Do të dalë në rrugë, do na heqë zvarrë!”

“Eh, populli…
Popullin do ta bëjmë të ndihet më mirë,
Ndaj kemi këtu dhe median e lirë.

Popullin do ta bëjmë të na thurë këngë,
Dhe vallen ta hedhë edhe me një këmbë.”

Por populli po ikën, rrugët i ka marrë,
Dhe pas do të mbetet
Tok’ e shkretë, djerrë dhe e tharë.

————————————————————

Ky është thjesht një krijim.
Çdo ngjashmëri me persona konkretë, është e rastit.

Një lutje për kolegët e mediave ONLINE!

Ky krijim imi, mund të publikohet në mediat tuaja nëse e shihni të arsyeshme, vetëm duke njohur dhe publikuar autorësinë time.
Faleminderit

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME