Mbyllet protesta/ Berisha: I kallët tmerrin Ramës, tubimi do vijojë deri në fitore

Selia blu ishte ndalesa përfundimtare e marshimit të Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se protesta e 28 shkurtit dërgoi një mesazh të fortë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për partnerët europianë. Berisha theksoi se fundi i qeverisë është i afërt dhe e paraqiti marshimin si një paralajmërim për të gjithë zyrtarët që ai i konsideron pjesë të “regjimit”.
“Marshi i juaj ishte marshi i fitores, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërguat çdo shqiptari. Ishte mesazhi më i madh që i është dërguar miqve tanë në Europë dhe botë. Ishte tmerri. I kalli tmerrin dhe datën narkoditkatorit Edi Rama.
Agjentë të infiltruar të policisë kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë ish-diktatorit ishte Edi Rama. Kjo bëri që ata t’i përvishen asaj banese. Rama banonte te vila e Mehmet Shehut, ndaj tani Edi fut jo 1 agjent por 120 po të fusësh nuk mund të devijosh më. E dimë ku je, në Surrel ose te vila e Mehmet Shehut. E patë vetë madhështinë e protestës tonë paqësore dhe rrugaçërinë e Ilir Prodës dhe Sokol Bixhgës dy vasalë mercenarë të Ramës që do të kenë fatin e tij. Korrëm një fitore tjetër. Arritëm një rekord të ri në protestën tonë. Asgjë nuk na ndal pa hedhur Ramën në koshin e plehrave të historisë”, tha Berisha.
Protesta u zhvillua gjatë mbrëmjes, fillimisht me marshim nga selia e PD drejt disa institucioneve, ndërsa Berisha paralajmëroi se aksioni opozitar do të vazhdojë.









