Meloni: Italia nuk ka ndërmend të përfshihet në konfliktin në Lindjen e Mesme

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar se Italia nuk është pjesë e konfliktit dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në luftën në Lindjen e Mesme. Në një reagim të publikuar në platformën X, ajo theksoi se qeveria italiane është e angazhuar për të mbrojtur sigurinë e vendit dhe për të mbështetur çdo përpjekje për paqe.
“Qeveria është e angazhuar të mbrojë sigurinë e Italisë dhe të qytetarëve të saj dhe të mbështesë çdo iniciativë që synon kërkimin e paqes”, shkroi Meloni në postimin e saj.
Ajo theksoi qartë se Italia nuk do të përfshihet në konflikt.
“Italia nuk është pjesë e luftës dhe nuk synon të hyjë në të”, u shpreh kryeministrja italiane në një video të publikuar bashkë me mesazhin.
Meloni bëri të ditur gjithashtu se ka zhvilluar bisedime me liderë të tjerë europianë për të shmangur përshkallëzimin e situatës, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Kam pasur një diskutim me Macron, Merz dhe Starmer për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Ne po punojmë, sa të jetë e mundur, për të ulur tensionet dhe për të parë nëse ekziston ende mundësia për të rifilluar negociatat”, theksoi Meloni.









