Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë ka folur për çështjen e zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal. Ai u pyet u pyet në një intervistë në A2 CNN nëse ai ishte shantazhuar në kohën kur mbante postin e Presidentit të Republikës. Meta nuk e mohoi një gjë të tillë, teksa tha se Rama ka bërë gjithçka për të korruptuar ndërkombëtarët për të shantazhuar zyrtarët e lartë në Shqipëri.
“Nuk është aspak çudi, madje është mëse e vërtetë që Rama gjithmonë në tentativat e tij për të korruptuar zyrtarët e lartë gjithmonë ka pasur si target Ilir Metën, duke e ditur se Ilir Meta është një person që as mund të korruptohet, as mund të shantazhohet nga Edi Rama. Ai gjithmonë ka korruptuar ndërkombëtarë në përpjekje për të dëmtuar Ilir Metën. Të gjithë e dinë se kjo kurrë nuk ka funksionuar për arsye se Meta është kristal me ligjin dhe kushtetutën. Kjo është edhe një çështje personaliteti dhe karakteri. Edi Rama ka bërë gjithçka për të korruptuar zyrtarët e huaj jo vetëm kundër Presidentit të Republikës”, – tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë u pyet edhe në lidhje me njohjet e tij personale me protagonistët e dosjes së ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, mes të cilëve Agron Neza, i identifikuar si “Personi A” në dosjen në fjalë dhe Dorian Duçka.
“Po unë e kam njohur “Personin A”, zotin Agron Neza si vëllai i këshilltarit tim të ndjerë për mediat, zëdhënësi im, zotin Agim Neza, i cili ka qenë zëdhënësi im në kohën që unë kam qenë ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë. Kështu që kjo është e vetmja njohje e imja me zotin Neza në këtë lloj raporti. Për më tepër që me familjen Neza kam një raport të hershëm, që nga Zenel Neza që ka qenë Kryetari i parë i Bashkisë së Tropojës, në vitin 1992, edhe me shumë të tjerë” – tha Meta.
Ndërsa për zotin Duçka, Meta u pyet për lidhjet familjare që ka me të. Megjithatë Meta tha se kjo çështje nuk e komplekson.
“Absolutisht. Së pari nuk ka se si të më kompleksojë. Së dyti kam vënë re disa spekulime për ta paraqitur gjoja si një njeri, që meqenëse ka shërbyer për LSI-në në të kaluarën, apo ka një lidhje familjare me mua, është si rezultat i këtij raporti, edhe njeri kaq i afërt i zotit Rama. Mendoj që ky është një mashtrim publik me qëllime justifikimi për përgjegjësinë e Edi Ramës në gjithë orkestrimin e këtij skenari mafioz për korruptimin e zyrtarëve ndërkombëtarë, dhe mund t’ju them se, si Doriani unë kam nja 200 kushërinj, por çuditërisht asnjë tjetër nuk zgjodhi z. Rama ta kishte si këshilltar pa pagesë. Kështu që besoj që është shumë e qartë.
Natyrisht që ka edhe një malinjitet, sepse ai është përpjekur ta përdorë atë në ato lidhje ndërkombëtare që ai ka pasur, sigurisht duke thënë që, “ja ku është kushëri edhe i filanit”. Personi në fjalë është edhe kushëri i ministres së z. Rama, zonjës Etilda Gjonaj, por s’mund të akuzoj zonjën Etilda që ka ajo përgjegjësi për çdo veprimtari të Dorianit, apo jo?
Në rastin konkret, çdo përpjekje për të sfumuar përgjegjësinë e arkitektit dhe orkestruesit të shndërrimit të Shqipërisë, e sidomos të qeverisë dhe zyrës së Kryeministrit, në një qendër rekrutimi të zyrtarëve më të lartë e të rëndësishëm të vendeve aleate dhe perëndimore me qëllim përdorimin e tyre kundër opozitës, kundër demokracisë, kundër shtetit të së drejtës, vetëm për qëllime të brendshme dhe për të çimentuar regjimin e tij të korrupsionit, pra të gjitha këto përpjekje duhen hetuar deri në fund. Dhe duhet çmontuar i gjithë ky sistem duke vendosur secilin përpara përgjegjësisë për atë që i takon” – tha Meta.