Presidenti Ilir Meta u pyet në konferencën me mediat këtë të martë për kallëzimin penal që ka regjistruar SPAK pas denoncimit të ish deputetit Halit Valteri.
Kreu i shtetit tha se denoncimi për lobimin që pretendon ish deputeti nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston.
Pyetje: SPAK ka regjistruar kallëzim penal të ish deputetit Halit Valteri sa i takon pretendimit të lobimit tuaj, druheni se mund të ketë kallëzime te tjera apo keni përgjigje për Halit Valterin?
“Këto lajme absurde si vetë personazhet që i njihni të gjithë nuk krijojnë asnjë shpërqëndrim për Ilir Metën nga detyra e Presidentit deri në 24 korrik por dhe nga angazhimet e zotit Ilir Meta duke nisur nga 25 korriku.
Sa i takon gazetës austriake do e marrë përgjigjen, në seancat që do zhvillohen atje, kjo është një histori që as nuk ka ekzistuar e as nuk ekziston.
Ata që janë në kërkim të letrave për azil për ti shpëtuar drejtësisë këtu edhe të tjerë që janë këtu e vijojnë biznesin e inceneratorëve të vijojnë të bëjnë më të mirën e tyre.
Ky është sistem që do shkundet nga themeli duke nisur nga 25 korriku por deri në 24 korrik do bëjmë detyrën me përgjegjshmëri të plotë e shpresojmë të ketë dhe reflektime kur bëhet fjala për çështje të interesit kombëtar”, tha Meta.
Mësohet se pas 25 korrikut Ilir Meta do krijojë një FRONT me ish-kryeministrin Berisha dhe të tjerë për të filluar protestat nga mesi i muajit shtator të këtij viti.