Meta: Ramës i ka mbetur vetëm një lëvizje, të dorëhiqet e të vetëdorëzohet te drejtësia

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një tjetër intervistë ekskluzive për portalin mediatik Syri.net, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike, si dhe ndryshimet në qeveri të bëra nga kryeministri Edi Rama gjatë ditës së djeshme.
Meta theksoi se Rama ka bërë një lëvizje dëshpëruese dhe se i ka ngelur vetëm një rrugë, ajo e dorëheqjes.
‘Ramës i ka mbetur vetëm një lëvizje, të dorëhiqet e të vetëdorëzohet te drejtësia’, u shpreh Meta për Syri.net.
Intervistë ekskluzive e Presidentit Meta dhënë portalit ‘Syri . net’ :
Pyetje: Z.Meta, si i shihni ndryshimet e fundit në Qeveri të Z. Rama?
Meta: Lëvizje dëshpëruese dhe të pashpresa. Qeveria Rama nuk ka më asnjë bazament politik dhe moral.
Çdo premtim i bërë 13 vite më parë, sot është mashtrim i provuar dhe zhgënjim i pakthyeshëm.
Edhe instalimi i frikës dhe dhunës si i vetmi mjet për të heshtur opozitën dhe nënshtruar qytetarët, nuk i bën më derman.
Ramës i ka mbetur vetëm një lëvizje që të tregojë se nuk ka lajthitur pa kthim, që të dorëhiqet dhe të vetëdorëzohet te drejtësia e tij në fund të fundit.
Pyetje: A mendoni se do t’i hiqet imuniteti Znj. Balluku?
Meta: Nuk ka çështje Balluku, por vetëm çështje Rama. Fakti që Rama ja ka refuzuar tre herë dorëheqjen, tregon se problem është ai dhe penguesi i drejtësisë po ai.
Fakti që është bërë edhe avokati publik i Mirlindës tregon se afera e AKSH-it është e Ramës dhe askujt tjetër.
Pyetje: Po ndryshimet në Kodin Penal a do e mbronin Ramën nga drejtësia?
Meta: Ato jo vetëm që do e kalonin çështjen e imunitetit në vitin 2012, pra 4 vite para se të bëhej Reforma, e cila solli rekomandimin për çeljen e negociatave, por do turpëronin edhe ata pak mbështetës ndërkombëtarë që për përfitimet e tyre kanë mbyllur sytë për dhunimin e shtetit të së drejtës, zgjedhjeve, parlamentarizmit, llogaridhënies dhe demokracisë në Shqipëri.
Neni “mos më prek” që synon Rama e vetëshpall të pandehur botërisht.











