Michael B. Jordan dhe Jessie Buckley fitojnë Oscar, aktorët më të mirë.

Michael B. Jordan është shpallur fitues i çmimit Oscar për aktorin më të mirë në ceremoninë e Oscars 2026, falë rolit të tij në filmin “Sinners”.
39-vjeçari triumfoi për interpretimin e tij në filmin e regjisorit Ryan Coogler, ku ai luan rolin e dy vëllezërve binjakë që kthehen në vendlindjen e tyre gjatë epokës së Jim Crow dhe përballen me një të keqe mbinatyrore.
Kur u shpall fituesi, Jordan u duk i emocionuar dhe mori një ovacion të gjatë në këmbë nga publiku i pranishëm në sallë.
Gjatë fjalimit të tij, aktori falënderoi familjen, duke treguar se prindërit e tij kishin udhëtuar nga Gana për të marrë pjesë në ceremoninë e madhe të Hollywood-it. Ai falënderoi gjithashtu vëllain dhe motrën e tij, si dhe regjisorin Ryan Coogler, të cilin e quajti një bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm.
Në këtë kategori, Jordan arriti të lërë pas aktorë të njohur si Timothée Chalamet për filmin “Marty Supreme”, Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”, Wagner Moura për “The Secret Agent” dhe Ethan Hawke për “Blue Moon”.
Fitorja e tij në Oscars vjen pas një sezoni të suksesshëm çmimesh, ku ai kishte fituar edhe dy çmime SAG-AFTRA, për interpretimin më të mirë të një aktori në rol kryesor dhe për performancën më të mirë të një kasti në film.

Jessie Buckley ka triumfuar në Oscars 2026, duke fituar çmimin për aktoren më të mirë për interpretimin e saj në filmin dramatik “Hamnet”.
Buckley u emocionua dukshëm kur emri i saj u shpall fitues nga fituesja e vitit të kaluar, Mikey Madison, ndërsa publiku në sallë e priti me duartrokitje.
Në fjalimin e saj, aktorja ia dedikoi çmimin nënave, duke theksuar se në Mbretërinë e Bashkuar ajo ditë shënonte Ditën e Nënës.
“Është Dita e Nënës në Mbretërinë e Bashkuar sot, ndaj dua t’ia dedikoj këtë çmim kaosit të bukur të zemrës së një nëne,” tha Buckley.
Aktorja falënderoi gjithashtu prindërit e saj dhe bashkëshortin Freddie Sorensen, për të cilin u shpreh me humor: “Të dua shumë dhe dua të kemi edhe 20 mijë fëmijë të tjerë.”
36-vjeçarja u vlerësua për interpretimin emocional të Agnes Shakespeare, bashkëshortja e dramaturgut legjendar William Shakespeare, në filmin e regjisores Chloé Zhao.
Roli i saj në “Hamnet” është vlerësuar gjerësisht nga kritika dhe i ka sjellë Buckley një sezon të suksesshëm çmimesh, pasi më parë kishte fituar edhe Golden Globe, BAFTA, Critics Choice Awards dhe SAG Awards për të njëjtin rol.
Në kategorinë e aktores më të mirë në Oscars 2026, Buckley konkurroi me emra të njohur si Rose Byrne, Renate Reinsve, Emma Stone dhe Kate Hudson.











