Fier – Vazhdon të mbetet mister fati i 26 vjeçarit Mateo Lika i cili një ditë më parë ka humbur kontaktet me familjarët, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë nëse automjeti është në ujërat e lumit Seman apo pas përplasjes me parkamakët e urës është larguar që aty.
Bëhet me dije se ta dyja pistat vazhdojnë të jenë nën hetimin e bluve të Fierit, ndërsa kontrollet do të vijnë si në ujërat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth, me shpresën për të gjetur automjetin.
Të dielën për më shumë se 4 orë polumbarët e forcave Renea kërkuan në ujërat e lumit, por nuk arritën të gjenin automjetin e apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë. Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman.
Telefoni i 26 vjeçarit vijon të jetë i fikur dhe vendndodhja e tij dhe automjetit të marrë me qira bëhet edhe më i vështirë.
Makina nuk ka qenë e pajisur me gps ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e 26 vjeçarit. Fakti që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim tjetër, çon që të mendohet se 26 vjeçari mund të udhëtonte i vetëm.
Në pyetje janë marrë të njohur të 26 vjeçarit e kontaktet e këtij të fundit për të mësuar lëvizjet përpara se të zhdukej.
Ndërkohë polumbarët e RENEA nisën kërkimet në orët e para të mëngjesit duke i ndërprerë në orën 11 e 30 , i rifilluan dhe përsëri i ndërprenë. Disa herë drejtues të tyre kanë parë nga afër vendin dhe mënyrën se si mund të ketë rënë në lumin Seman mjeti tip Golf5. Tashmë po mbetet mister rënia e mjetit në lumin Seman, dhe po lindin dyshime të forta se mjeti nuk ka rënë në lum por është larguar.