BOTA

Momentet dramatike kur lumi përpin qytezën në Teksas

Një përmbytje vdekjeprurëse ka shkaktuar të paktën gjashtë viktima dhe ka detyruar mijëra njerëz të largohen me urgjencë, pasi lumi Guadalupe ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa qytete në Teksas.

Lumi Guadalupe u rrit me mbi 6.5 metra gjatë natës, përpara se të thyente digat natyrore dhe të përmbytë qytetet e vogla rurale Kerrville dhe Hunt.

Të paktën një familje rezulton e zhdukur, pasi shtëpia e tyre në Kerrville u përfshi plotësisht nga përmbytja dhe u zhduk nga rrjedha e ujit.

Pamje të shpërndara nga reporteri i KPRC, Gage Goulding, tregojnë ujëra të rrëmbyeshëm që mbartin mbeturina poshtë lumit, ndërsa reshjet e dendura vijojnë të godasin rajonin.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) shpalli emergjencë për përmbytje të menjëhershme për të gjithë qarkun Kerr, rreth 145 kilometra jashtë San Antonios, pasi afro 25 centimetra shi ranë brenda natës.

Për shkak të reshjeve të dendura, lumi Guadalupe ka arritur një lartësi rekord prej 10.4 metrash mëngjesin e sotëm, duke përbërë një rrezik të madh për banorët.

Autoritetet kanë nisur evakuimin e menjëhershëm të banorëve përgjatë lumit, duke paralajmëruar për përmbytje të “rrezikshme” dhe potencialisht “fatale”. Qytetarët janë udhëzuar të “ngjiten në terrene më të larta menjëherë”.

Paralajmërimi për emergjencë mbetet në fuqi për Kerr County dhe Kendall County deri të paktën në orën 14:00 me orën lokale të së premtes.

Sipas televizonit WOAI, një burrë nga Kerrville, gruaja dhe dy fëmijët e tij janë të zhdukur, pasi ujërat përmbytëse përfshinë lagjen ku banonin gjatë natës. Tani, vendi ku ndodhej shtëpia e tyre është vetëm një tokë bosh.

Një park me karavanë në Ingram u përfshi plotësisht nga përmbytja, ndërsa banorët ndodheshin ende brenda, sipas burimeve nga forcat e rendit për KEYE-TV.

Zyra e Sherifit të Kerr County publikoi një njoftim në Facebook duke e quajtur situatën “përmbytje katastrofike”.

Në përditësimin e mëngjesit u konfirmua se ka pasur “viktima”, por pa dhënë numrin e saktë të të vdekurve, ndërsa emrat e tyre nuk janë bërë publikë deri në njoftimin e familjarëve.

Gjykatësi i qarkut Kerr, Rob Kelly, deklaroi për mediat lokale se deri tani janë konfirmuar të paktën gjashtë të vdekur në të gjithë qarkun.

Ai shtoi se shumë persona janë shpëtuar nga autoritetet, përfshirë edhe ata që ndodheshin në karavanë dhe kampingje përgjatë lumit. Në Kerrville janë raportuar mbyllje rrugësh, me rrugë të përmbytura dhe ura të pakalueshme.

Kryetari i bashkisë së Kerrville, Joe Herring Jr, ka shpallur gjendjen e emergjencës, pas dëmtimeve të rënda, plagosjeve dhe humbjeve në njerëz që shkaktuan përmbytjet e natës.

Supermarketi lokal Walmart po përdoret si qendër për strehimin e përkohshëm të të evakuuarve.

Një kompani e energjisë raportoi një “defekt madhor” që la pa energji mbi 2,600 konsumatorë në Kerrville, Center Point dhe Hunt. Përpjekjet për riparim janë ngadalësuar për shkak të përmbytjeve dhe linjave të rëna të energjisë.

I gjithë qarku Kerr konsiderohet “zonë tepër aktive emergjence”, deklaroi Sherifi Larry L. Leitha:
“Zyra jonë po bashkëpunon me agjenci të shumta vendore dhe shtetërore për të përballuar thirrjet dhe operacionet e shpëtimit,” tha ai.

“Banorët këshillohen të qëndrojnë të strehuar në vend dhe të mos udhëtojnë. Ata që ndodhen pranë përrenjve, rrjedhave dhe lumit Guadalupe duhet të ngjiten menjëherë në zona më të larta.”

Ndërkohë, San Antonio dhe qarku Bexar, që ndodhen rreth 90 milje larg, nuk janë prekur rëndë nga kjo stuhi.

Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi mëngjesin e së premtes se lumi Guadalupe ka arritur nivelin e tij të dytë më të lartë historik. Niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë ka qenë 11 metra, gjatë përmbytjeve të mëdha të vitit 1987.

Meteorologët e KEYE dyshojnë se rekordi mund të jetë thyer tashmë, por pajisja që mat nivelin e lumit nuk po raporton më për shkak të dëmtimeve nga përmbytja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button