Ditën e sotme moti i keq me reshje dhe erë të fortë ka përfshirë tërë territorin e vendit. Kjo ka sjellë shi dhe dallgë edhe në gjirin e Durrësit. Si rrjedhoje janë anuluar lundrimet e trageteve të parashikuar për në mbrëmje në drejtim të Barit. Sipas të dhënave, shtyrja e këtyre udhëtimeve vjen dhe si pasojë e mbylljes së përkohshme të portit të Barit. Edhe ky port është përfshirë nga moti i papërshtatshëm.
Kësisoj, tragetet “Af Francesca” dhe “Rigel III” nga Durrësi dhe “GNV Azzura” e “Rigel III” nga Bari do të nisen në orën 07:00 të ditës së nesërme.
Njoftimi:
Për arsye të kohës së keqe në detin Adriatik dhe mbylljes së përkohshme të portit të Barit(Itali) , tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas, përkatësisht tragetet “Af Francesca” dhe “Rigel III” nga Durrësi dhe “GNV Azzura” e “Rigel III” nga Bari do të nisen në orën 07:00 të ditës së nesërme, pra datë 18 Shtator dhe jo në orarin e parashikuar 23:00 të mbrëmjes së sotme. Pasagjeret do të pajisen me dhomë në traget.
Reshjet e shirave pritet të ndalojnë ditën e nesërme. Sot moti ka qenë i paqëndrueshëm në të gjithë vendin.