Muriqi i papërmbajtshëm! Kosova triumf me Islandën, ngjitet në Ligën B

Kosova ka arritur një sukses historik në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Islandën në ndeshjen play-off dhe duke siguruar një vend në Ligën B. Pasi kishin fituar 2-1 në Prishtinë, përfaqësuesja dardane rrëmbeu suksesin 1-3 me përmbysje edhe në Islandë. Protagonisti absolut ishte Vedat Muriqi, që shënoi tre golat e ndeshjes dhe mori topin në shtëpi.
Start shokues për dardanët, pastaj Muriqi
Sfida nisi me tronditje për “Dardanët”, të cilët u ndëshkuan që në minutën e dytë pas një gabimi në mbrojtje. Një goditje nga këndi krijoi rrëmujë në zonë dhe Oskarson shfrytëzoi rastin për të mposhtur portierin Shaipi, duke i dhënë avantazhin Islandës.
Pavarësisht startit të vështirë, Kosova nuk u dorëzua dhe nisi menjëherë të ushtrojë presion. Në minutën e 15′, Vedat Muriqi tregoi sinjalet e para të rrezikut me një gjuajtje të fuqishme nga e djathta, e cila kaloi pak mbi traversën e portës islandeze. Disa minuta më vonë, ishte Amir Rrahmani ai që provoi me kokë pas një goditjeje këndi, por topi përfundoi në duart e portierit kundërshtar.
Presioni i Kosovës u shpërblye në minutën e 35′, kur Paqarada dha një asist perfekt nga e majta dhe Muriqi, i vendosur në pozicion ideal, e devijoi topin në rrjetë për të barazuar shifrat. Goli i dha zemër ekipit, i cili vazhdoi të sulmojë. Në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, Rashica lëshoi një pasim të zgjuar në thellësi për Muriqin, i cili nuk e humbi qetësinë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-1, duke përmbysur rezultatin para pushimit.
Tris e Islanda me 10 lojtarë
Islanda tentoi të reagonte në fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 53′, Helgason provoi nga distanca, por portieri Shaipi u tregua i vëmendshëm dhe e grushtoi topin jashtë rrezikut. Pesë minuta më vonë, Kosova pati një tjetër mundësi të artë për të thelluar avantazhin. Krasniqi u shfaq i lirë para portës, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri, ndërsa Muriqi, në tentativën e dytë, nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë.
Në minutën e 69′, Islanda mbeti me një lojtar më pak, pasi Gunarson u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u largua me të kuq. Kjo i dha edhe më shumë hapësira Kosovës, e cila nuk ndali ofensivën e saj. Në minutën e 79′, doli sërish në skenë Muriqi. Pas një goditjeje nga këndi, ai u tregua i saktë në zonë dhe shënoi golin e tretë personal, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Me këtë triumf, Kosova arrin një objektiv të madh dhe konfirmon rritjen e saj në arenën ndërkombëtare, ndërsa Vedat Muriqi tregon edhe një herë se është lideri i padiskutueshëm i kësaj skuadre.
League A: Qualification Play-off UEFA Nations League
Hungary 0-3 Turkiye
Scotland 0-3 Greece
Serbia 2-0 Austria
Belgium 0-0 Ukraine
League B: Qualification Play-off UEFA Nations League
Georgia 6-1 Armenia
Iceland 1-3 Kosovo
Slovenia 1-0 Slovakia
Ireland 0-1 Bulgaria