AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

“Na shpronësoni, pastaj na urdhëroni”/  Fermerët e Frakullës sfidojnë Ramën për urdhrin e tëndave buzë autostradës

Fier – Fermerët e Frakullës i kanë dalë hapur kundër urdhrit të fundit të kryeministrit Edi Rama, që kërkon largimin e të gjitha tëndave dhe strukturave provizore përgjatë akseve kombëtare, duke lënë të lira hapësirat deri në 20 metra anës rrugëve.

Reagimi i tyre ka qenë i ashpër dhe i drejtpërdrejtë, duke kërkuar më parë shpronësim dhe ndërtim të rrugëve dytësore, përpara se të zbatojnë urdhrin qeveritar.

“Ne nuk jemi kundër shtetit, por jemi kundër padrejtësisë. Këto tënda nuk i kemi ngritur në rrugë, por mbi tokat tona, shumë prej tyre ndodhen mbi 15 metra larg autostradës. Janë struktura sezonale, provizore, dhe janë e vetmja mënyrë për të shitur prodhimet që dalin nga djersa jonë,” – shprehen fermerët e zonës në një zë.

“Me këto tënda ushqehemi. Shesim domate, kastravecë, bostanë, rrush, gjithçka që prodhojmë vetë. Vijnë tregtarë nga jugu, nga Vlora, Saranda, e na i marrin produktet në vend. Janë prodhime me NIPT, të regjistruara. Pse na trajtoni si ilegalë? Nuk ka shtet në botë që të trajton kështu pronarët e ligjshëm të tokës.”

Fermerët tregojnë se prej vitesh janë anashkaluar nga institucionet shtetërore. Ata pretendojnë se nuk janë shpronësuar për tokat që ju morën për ndërtimin e autostradës, e më keq akoma, nuk janë ndërtuar rrugë dytësore që t’u mundësonin akses drejt pronave të tyre bujqësore.

“Qeveria na mori tokat për autostradën, pa asnjë dëmshpërblim. S’na pyeti njeri. Erdhi rruga, por jo rruga dytësore. S’kemi ku kalojmë, s’kemi nga t’i shesim prodhimet. A thua të presim që të na kalbet malli në fushë? Kërkojnë të largohemi, po të na shpronësojnë më parë. Të ndërtojnë rrugë alternative, të na japin mundësi tjetër – pastaj le të vinë me urdhra.”

Situata ka ardhur drejt përplasjes së hapur me autoritetet, pasi mëngjesin e sotëm përfaqësues të IKMT-së vendore kanë mbërritur në Frakull për t’i paralajmëruar fermerët që të largojnë vetë strukturat brenda një afati të shkurtër. Kjo ka ndezur më shumë zemërimin e tyre, pasi siç thonë, qeveria nuk njeh më as pronën private.

Fermerët të revoltuar:
“Kjo është toka jonë! Me letra, me hipotekë, me gjithçka. Shteti nuk mund të vijë e të na përzërë nga prona jonë pa na dhënë dëmshpërblim. Ky është uzurpim. A ka më shtet ligjor në këtë vend?”

Fermerët paralajmërojnë se nuk do të lëvizin nga vendi, përkundrazi, janë të vendosur të qëndrojnë dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për të jetuar nga puna në bujqësi. Ata i bëjnë thirrje kryeministrit Rama që të tërheqë urdhrin deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të arsyeshme.

“Ne nuk jemi trafikantë, nuk jemi ndërtues pa leje, jemi bujq. Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë drejtësi. Të respektohet prona, të ndërtohen rrugë dytësore, të na dëgjojë dikush, e pastaj le të flasim për urdhra. Deri atëherë, nuk lëvizim!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button