Nata mes ujit dhe errësirës në Feras: Banorët refuzojnë evakuimin nga frika e vjedhjeve

Fier – Oborre të mbuluara nga uji, orendi shtëpiake të dëmtuara, garazhe të përmbytura, si dhe bagëti e shpendë të mbytura. Kjo është situata në fshatin Feras, ku 75 banesa janë përfshirë nga përmbytjet pas daljes së ujit nga argjinatura e Martinës, mbrëmjen e djeshme.
Banorët e zonës e kanë kaluar natën pa energji elektrike në banesat e tyre. Edhe pse u është kërkuar të evakuohen dhe të largohen për sigurinë e tyre, frika nga vjedhjet dhe dëmtimi i pronave ka bërë që shumë prej tyre të qëndrojnë në shtëpi, mes lagështirës dhe kushteve të vështira.
Gjatë ditës së sotme, kemi qenë në disa prej banesave të përmbytura, ku kemi marrë edhe dëshmitë e banorëve të prekur nga kjo situatë e rëndë. Ndërkohë, bashkia ka nisur punonjësit e njësive administrative për të ndihmuar banorët në pastrimin e oborreve dhe largimin e ujit.








Banorët shprehen se kjo përmbytje është ndër më të rëndat e viteve të fundit. Ata theksojnë se, ndonëse në përmbytjet e mëparshme është dhënë një dëmshpërblim i pjesshëm, deri më tani nuk ka mbërritur ende asnjë komision për të verifikuar dëmet dhe për të përcaktuar masën e dëmshpërblimit që do t’u jepet familjeve të prekura.
Nga dalja e ujërave nga shtrati i lumit, rreth 800 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë përgjatë lumit Vjosë, përveç dhjetëra banesave të përmbytura.
Ndërkohë, aksi i vjetër Levan–Vlorë është i përmbytur në disa segmente, ku automjetet qarkullojnë me vështirësi. Policia ka vendosur sinjalistikën rrugore dhe patrulla të qarkullimit për të orientuar trafikun dhe për t’u bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar.















