Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËNDËRRO EMRIN MIKU IM!

NDËRRO EMRIN MIKU IM!

Nga Erion Dasho – Keqtrajtimet e shtetit Rilindas ndaj qytetarëve të tij janë bërë të zakonshme, por kjo që po ndodh prej disa kohësh është një masakër e një lloji të veçantë:

Kardiokirurgu Prof. Edvin Prifti po akuzohet nga shteti për çdo të zezë që ndodh në mjekësi, madje akuzohet deri për pjesëmarrje në grup kriminal edhe kur kapen kontrabandistë ilaçesh pa lidhje!

Ç’ndodhi me Prof. Priftin që papritur, nga mjeku që trefishoi operacionet në zemër në QSUT dhe organizoi repartet kardiokirurgjikalë në pothuajse çdo spital privat në Shqipëri e Kosovë, u kthye në simbol të korrupsionit në shëndetësi dhe ju hodhën prangat “në flagrancë”?!

Ose e thënë fare shkurt: Pse është shteti kundër Prof. Edvinit?

Prova për arrestimin e mjekut ishin disa transkripte përgjimesh të cilat u propaganduan gjerë e gjatë në media në momentin e arrestimit më shumë se 15 muaj më parë. Ajo që nuk u propagandua siç duhet në media është fakti se, pasi u analizuan të gjithë përgjimet, doli edhe një frazë ku Prof. Prifti thotë shkoqur “Pse të paguajë kot në spital privat? Silleni në QSUT të operohet falas.”

Nëse ky transkript u përdor për ta fajësuar Priftin, përse nuk përdoret i njëjti transkript për ta shfajësuar?!

***

E vërteta është se Prof. Prifti nuk goditet për shkak të “korrupsionit”. Ai është një prej kurbanëve të shumtë bluzëbardhë që ndëshkohen për arsyen e vetme se guxuan të kritikojnë menaxhimin skandaloz të sistemit shëndetësor shqiptar nga Rilindja!

Goditjet ndaj Priftit nisën nga vetë kryeministri dhe enturazhi i vet pas analizave profesionale e kurajoze të Prof. Edvinit ndaj dështimit total në menaxhimin e COVID-19 nga kukullat që drejtojnë shëndetësinë sot. Ai ngriti zërin kur të paaftët e Rilindjes e quanin COVID-in akoma “grip”.

Ç’quhet korrupsion?

Ai për të cilin akuzohet Edvini apo ato dhjetëra milionë euro të grabitura me me PPP-të e check-upit, sterilizimit, laboratorëve, etj.??!!

Ç’quhet korrupsion?

Ai për të cilin akuzohet Edvini apo qindra milionë eurot e dëmit qelizor në sistemin shëndetësor me autor kimistët, informaticienët, klarinetistët, balerinat dhe monstrat e tjerë që kanë administruar rreth tre miliardë eurot e buxhetit të Shëndetësisë në këto vite të mbretërimit të Rilindjes??!!

E vërteta pas linçimit të Prof. Priftit është se tashmë jemi në një diktaturë të llojit të ri ku drejtësia si edhe çdo mjet tjetër përdoret për të eliminuar intelektualët kritikë me regjimin.

Është fakt i njohur se diktaturat kanë armik kryesor intelektualin kritik dhe të papolitizuar. Për t’i heshtur, këta intelektualë linçohen, përçudnohet reputacioni i tyre, metamorfozohet jeta e tyre private për t’i shkatërruar edhe më tej reputacionin dhe më pas digjen si heretikë nga inkuizitorët mesjetarë.

Këshillë miqësore midis kolegësh për Prof. Edvinin:

Ndërro emrin, miku im!

Bëhu Edi, sepse ata Edvinë që bëhen Edi jo vetëm që mbyllin hesapet me drejtësinë, por edhe fitojnë emër, para dhe pushtet…

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME