Mallakastër – U vetëdogj me benzinë në shtëpi, ndërron jetë në spital 64-vjeçari në Ballsh, kishte tentuar dhe më parë vetëvrasjen
Ka ndërruar jetë në spital 64-vjeçari Shpëtim Muhaj, i cili u vetëdogj para dy ditësh me benzinë në apartamentin e tij, në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Ballshit. Burime bëjnë me dije se 64-vjeçari kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor, ndërsa kishe tentuar edhe një herë më parë që të kryente vetëvrasje.
Teksa shkaqet që kanë shtyrë të moshuarin për të ndërmarrë hapin ekstrem vijojnë të mbeten objekt i hetimit nga ana e Policisë së Mallakastrës, mësohet se para një jave Shpëtimi Muhaj kishte tentuar të vetëvarej brenda shtëpisë, por ndërhyrja në kohë e familjarëve dhe ndihma mjekësore i shpëtuan jetën.
Viktima ishte i martuar dhe jetonte së bashku me bashkëshorten në katin e parë të një pallati në Ballsh. Mëngjesin e 21 gushtit, ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit me djegie të rënda në trup, dhe pavarësisht kujdesit intensiv mjekësor ai nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve.