Ndërron jetë parodisti vlonjat Mane Lumani

Shuhet aktori i humorit dhe parodisti i njohur vlonjat, Mane Lumani
Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i humorit dhe një nga parodistët më të njohur të Vlorës, Mane Lumani.
Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka trishtuar komunitetin artistik dhe qytetarët vlonjatë, që e kanë ndjekur për dekada në skenë.

Lumani ishte një nga emrat më përfaqësues të humorit vlonjat, pjesë e brezit që e ktheu parodinë dhe skeçin në një traditë të dashur për publikun. Me interpretimet e tij plot finesë, ironi dhe batutë të mprehtë, ai arriti të ndërtojë një profil të veçantë artistik, duke mbetur në kujtesën e publikut si një figurë autentike e skenës së qytetit.









