Administrata publike do të ketë së shpejti një orar të ri. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni zbuloi detajet nga ajo që është pagëzuar si “Paketa e Motivimit të Administratës”.
Kjo paketë përfshin, rritjen e pagave për vitin 2024, fleksibilitetin e orarit në punë, vlerësimin e performancës së punonjësve si dhe një seri masash mbështetëse për mbarëvajtjen e punës në administratë dhe trajtimin e punonjësve.
Ministrja tha se brenda këtij viti do t’iu mundësohet punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla.
“Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30. Kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin.
E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtra se një javë,” – tha ministrja Pirdeni.
Ministrja tha se brenda vitit 2024 do të rriten sërish pagat për nëpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit.