Në kërkim i riu/ Rrëmbeu taksinë në Tiranë, grabiti karburantin në Fushë Krujë

Pasditen e së hënës, një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në një karburant në Fushë Krujë. Një person që ndodhej në drejtimin e një taksie ka kërcënuar me armë punonjësit e karburantit dhe ka marrë xhiron ditore.
Pas grabitjes, autori ka braktisur taksinë dhe është larguar në drejtim të fshatrave të Fushë-Krujës. Dyshohet se i riu ka kryer të paktën 3 vjedhje përgjatë pak orëve. Ai pasi ka marrë një taksi në Tiranë, ka kërkuar të shkojë në Fushë Krujë.
Sapo është afruar drejt Tapizës, me armë zjarri ka kërcënuar taksistin dhe ka marrë drejtimin e makinës vetë, ndërsa këtë të fundit e ka lënë në një zonë të largët, madje taksistit i ka marrë edhe paratë dhe celularin.
Pasi ka vjedhur taksistin, i riu më pas ka shkuar pranë një pike karburanti në afërsi të Milotit dhe me kërcënimin e armës së zjarrit, i ka marrë punonjësit paratë e xhiros ditore. Më pas ka lënë mjetin në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe është arratisur.
Policia e ka identifikuar të riun dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e tij. Ai rezulton i dënuar më parë për mashtrim. /BW









