
Pasi u shfaq në krah të së djathtës ekstreme në Izrael, Edi Rama u ul në prill në samitin e të majtës kundër Trump në Barcelonë, gjithnjë në funksion të mbijetesës së tij politike.
Në Barcelonë ka nisur një përpjekje për t’i dhënë frymëmarrje të re së majtës globale dhe për ta kthyer pakënaqësinë ndaj Donald Trump në kapital politik. Nismën po e ngjiz Pedro Sanchez, i cili organizoi dy aktivitete të lidhura mes tyre, “Në mbrojte të demokracisë” dhe “Mobilizimi global progresiv”, ku u mblodhën mbi 6 mijë pjesëmarrës nga më shumë se 40 vende, me në qendër frenimin e së djathtës ekstreme dhe rindërtimin e një narrative progresiste që ka humbur terren përballë populizmit të djathtë.
Mes të tjerëve, në Barcelonë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por edhe pse u paraqit në tryezën që tenton të projektohet si bërthamë e kundërsulmit global ndaj Trumpit, Edi Rama e kaloi këtë pa zhurmë politike, pa bujë mediatike dhe pa asnjë mesazh domethënës.
Ndryshe nga aktivitetet e tjera jashtë Shqipërisë, kur ai shndërrohet natyrshëm në protagonist me gjeste fëminore, me përqafimet e tepruara apo me deklaratat bombastike para gazetarëve, në Spanjë u pa një Edi Ramë mëse i rëndomtë dhe pak aktiv, i cili nuk kishte asgjë për të thënë.
Në komunikimin e vet publik, ai e reduktoi mesazhin duke e përshkruar Shqipërinë si një vend “të besuar”, “të respektuar” dhe “të vlerësuar” nga vendet e tjera, ndërsa për Sanchez-in përdori lavde personale duke e quajtur “një udhëheqës i mençur e kurajoz dhe një mik i vyer me të cilin është privilegj të bashkëbisedosh”.
Rama nuk u duk shumë etuzias në disa foto që shpërndau Alex Soros në Instagram, duke mbajtur në duar broshurat e takimeve në Spanjë.

Kjo heshtje e Ramës merr kuptim po të shihet vetë natyra e takimeve, ku ai ishte i ftuar.
Sanchez dhe aleanca globale kundër Trump
Në shkrimin me titull “Në tubimin anti-Trump, Sanchez premton se do t’ua përdredhë krahun të djathtës globale”, Politico.eu përshkruan mesazhet e forta që kryeministri i Spanjës dha kundër të djathtës ekstreme, duke sulmuar tërthorazi Trump dhe Izraelin.
Pedro Sánchez u zotua se do “t’ua përdridhte krahun” forcave të së djathtës ekstreme që po përpiqen të shpërbëjnë rendin ndërkombëtar, shkruajti Politico. Madje, duke folur në konferencën “Mobilizim global progresiv” në Barcelonë, lideri spanjoll e paraqiti aktivitetin si një kundërpërgjigje të koordinuar ndërkombëtare ndaj asaj që ai e përshkroi si një lëvizje globale të së djathtës ekstreme.

Sanchez drejtoi gishtin veçanërisht nga tarifat e presidentit amerikan Donald Trump dhe lufta në Lindjen e Mesme, duke thënë se ato kanë çuar në një erozion të gjerë të institucioneve shumëpalëshe, një zhvillim ndaj të cilit, sipas tij, e majta globale duhet të reagojë.
Ai tha se e djathta ekstreme po “organizohet ndërkombëtarisht”, por këmbënguli se numrat e tyre tregojnë dobësi dhe jo forcë. “Ata bërtasin jo sepse po fitojnë, por sepse e dinë që koha e tyre po mbaron,” tha ai.

Takimi i Spanjës ka pasur jehonën e tij në Uashington. Trump sulmoi sërish të shtunën në rrjetet sociale Sanchez-in, i cili është përballur me përbuzjen e presidentit amerikane për moslejimin e përdorimit të bazave ushtarake të përbashkëta në Spanjë për operacione të lidhura me luftën në Iran dhe për refuzimin për të rritur shpenzimet ushtarake nga 2% në 5% të PBB-së.
“A ka parë ndokush sa keq po ecën vendi i Spanjës. Shifrat e tyre financiare, pavarësisht se kontribuojnë pothuajse asgjë në NATO dhe në mbrojtjen e tyre ushtarake, janë absolutisht të tmerrshme. Trishtim ta shohësh!!!” shkroi Trump në Truth Social.
Megjithëse asnjë lider i huaj nuk e kritikoi Trumpin me emër në publik, qëndrimi i presidentit amerikan, që bie ndesh me dekada të politikës së jashtme të SHBA-së, përfshirë përbuzjen e tij ndaj NATO dhe United Nations, qëndroi si një hije mbi takimet, shkruajti Associated Press.

Në aktivitet ishin të ftuar edhe demokratët amerikanë, senatori Chris Murphy dhe guvernatori i Minesotës Tim Walz. Senatori Murphy, një demokrat nga Connecticut nuk hezitoi të sulmojë Trumpin, ndërsa përshëndeti humbjen e pushtetit të aleatit të tij Viktor Orbán në zgjedhjet në Hungari javën e kaluar.
“Donald Trump synon t’i japë fund demokracisë sonë,” tha Murphy. “Ne nuk jemi në prag të një marrjeje totalitare të pushtetit, ne jemi në mes të saj.”
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Zohran Mamdani, ish-kandidatja presidenciale amerikane Hillary Rodham Clinton dhe senatori Bernie Sanders dërguan mesazhe video që u transmetuan në tubim.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe presidenti kolumbian Gustavo Petro, si dhe liderë dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë anëtarë kabineti nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, morën pjesë në Takimin e Katërt në Mbrojtje të Demokracisë që hapi serinë e dy aktiviteteve politike të së shtunës në qendrën e konventave në Barcelonë.

Lula e mbajti fokusin te mënyra se si të rigjallërohet momenti progresist. Ai shmangu përmendjen e Trump-it, përveç kur bëri thirrje që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së “të përmbushin detyrimin e tyre dhe të garantojnë paqen.”
“Ndaleni këtë çmenduri të luftës, sepse bota nuk mund të përballojë më luftëra,” tha Lula.

“Trump është bërë simbol i së djathtës ekstreme. Por kjo ka të bëjë me socialdemokratët që bashkohen. Fakti që demokratët amerikanë janë kaq të përfaqësuar është një risi dhe tregon se kjo lëvizje po rritet,” tha për gazetarët në margjinat e aktivitetit Lars Klingbeil, zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe kreu i socialdemokratëve gjermanë.
Isabel Allende, ish-presidente e Senatit të Kilit dhe vajza e Salvador Allende, liderit të parë marksist në Amerikën Latine që u rrëzua në vitin 1973 nga një grusht shteti ushtarak i mbështetur nga SHBA, paralajmëroi se e majta është shkëputur nga shqetësimet e qytetarëve.
Me pak fjalë, këtë fundjavë, Barcelona ishte vendi ku po provohet ndërtimi i një boshti politik kundër trumpizmit, kundër unilateralizmit amerikan dhe kundër së djathtës radikale që po fiton terren në Perëndim
Në Janar, Rama ishte në tryezë me të djathtën ekstreme në Izrael

Ende nuk dihet se çfarë e ka detyruar Edi Ramën të bëhet pjesë e aleancës kundër Trump që po ngjizet në Spanjë. Në këto muaj, kryeministri i Shqipërisë ka bërë përpjekje të mundimshme për të përmirësuar marrëdhëniet me administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.
Madje për t’u afruar pranë Trump, i është dashur të flirtojë me pjesën më ekstreme të së djathtës europiane.
Rreth tre muaj më parë, Edi Rama udhëtoi drejt Izraelit për të takuar Benjamin Netanjahun, i cili akuzohet për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë. Në qëndrimet që mbajti në Izrael, Rama u shfaq si një servil, kur fajësoi vetëm Hamasin për masakrat në Gaza, në një përpjekje për të fituar simpatinë e qeverisë izraelite.
Por vizita në Izrael përfshinte edhe një vend për Edi Ramën në tryezën e Konferencën Ndërkombëtare në luftën kundër Antisemitizmit, me disa nga përfaqësuesit e partive më ekstreme të së djathtës në botë.
Tryeza ishte organizuar nga Amichai Chikli, ministri izraelit i Diasporës dhe Luftës kundër Antisemitizmit, i akuzuar nga një pjesë e politikës izraelite për normalizimin e aleancave me të djathtën ekstreme europiane.

Amichai Chikli përfaqëson një vizion kontrovers brenda qeverisë izraelite, sipas të cilit radikalizmi islam është “kërcënimi kryesor” për hebrenjtë, progresizmi liberal nuk është më i besueshëm dhe aleanca me partitë e djathta europiane është një domosdoshmëri për Izraelin.
Kjo ishte edhe nyja e koalicionit të ri politik që po merrte formë në Izrael dhe të cilës iu bashkua edhe kryeministri i shqipërisë, Edi Rama.
Për të kuptuar idetë që vlonin në atë takim mjafton të thuhet se në listën e të ftuarve ishin emra si Geert Wilders, simbol i islamofobisë në Holandë. Jimmie Åkesson dhe Seeden Democrats, me rrënjë në ekstremizmin e djathtë, Vox në Spanjë, National Rally në Francë dhe figura të tjera të njohura për retorikë anti-emigracion dhe kundër komuniteteve myslimane.
Ramizmi, si manovrim politik
Brenda pak muajsh, Rama ka marrë pjesë në dy tryeza politike që kanë dy axhenda krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën.
Në janar, në Jerusalem, në konferencën ku Izraeli i Netanjahut teston afrimin me të djathtën sovraniste dhe anti-migracion në Europë. Në prill, në Barcelonë, në një përpjekje për t’i dhënë një impuls të ri kampit progresist ndërkombëtar kundër Trump dhe kundër të njëjtës të djathtë radikale.
Një sjellje si kjo, pa bosht dhe pa ndonjë bindje ideologjike është tipike për Ramën që rrymat politike i sheh në funksion të pushtetit të tij personal. Nëse i shërben mbijetesës së tij politike, Rama është i gatshëm të mbajë një fjalim që do t’i kënaqte të djathtët ekstremë të Europës, siç bëri në Jeruzalem. Por nëse i duhet të ruajë miqësinë me Alex Sorosin dhe politikanët e majtë nuk e ka problem t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për aktivitete ku diskutohen ide krejt të kundërta.
Kuptohet se duhet llogaritur që në Shtëpinë e Bardhë është Donald Trump, që nuk e sheh me sy të mirë samitin e Barcelonës. Dhe kjo është arsyeja pse Ramës i duhet ta kalojë pa zhurmë këtë manovër të vogël. Pas 13 vitesh në pushtet, mund të thuhet se ka marrë formë ramizmi politik, aftësa për të qenë kudo, me këdo, pa u identifikuar me askënd dhe për t’ua shitur këtë të gjithëve si vizion politik./Lapsi.al











