Ngrica “vret” të mbjellat, fermerët e Frakullës në alarm. Dëme shkatërruese në patate, kastraveca dhe luleshtrydhe

Frakull – Temperaturat e ulëta dhe ngricat e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të rënda në bujqësi, duke goditur drejtpërdrejt fermerët e zonës së Frakullës. Sipërfaqe të tëra tokash bujqësore me sera janë dëmtuar, ndërsa shumë kultura kanë pësuar shkatërrime të mëdha.
Më të prekura nga ngrica kanë qenë kulturat e patates, luleshtrydhes, kasttavecit si edhe foragjeret, të cilat në shumë parcela janë dëmtuar rëndë, duke rrezikuar prodhimin e këtij sezoni.
Sipas fermerëve, dëmet janë të mëdha dhe të përhapura në disa zona rurale, ku më të goditura kanë qenë kulturat e patates, luleshtrydhes si dhe foragjeret. Në shumë parcela, bimët janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme, duke sjellë humbje të konsiderueshme ekonomike për familjet që jetojnë nga bujqësia.
Situata paraqitet alarmante, ndërkohë që deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse. E kontaktuar drejtoria e Bujqësisë për rrethin Fier dhe Mallakastër ka pohuar jasht kamerës që dëme ka por nuk ka ankesa ende nga fermerët.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Bujqësisë në Fier ka pohuar se ka informacion paraprak për dëme të shkaktuara nga ngricat, por thekson se deri më tani fermerët nuk kanë paraqitur ende ankesa zyrtare pranë këtij institucioni. Sipas burimeve zyrtare, vetëm pas depozitimit të ankesave mund të nisë procesi i verifikimit në terren dhe vlerësimi i dëmeve.



Pavarësisht kësaj, fermerët shprehen të shqetësuar dhe thonë se mungesa e pranisë së institucioneve në terren ka shtuar pasigurinë dhe ndjenjën e braktisjes. Ata kërkojnë që strukturat përkatëse të dalin sa më shpejt për të konstatuar situatën reale dhe për të marrë masa konkrete mbështetëse.
Sipas fermerëve, asnjë ekip nga bashkia apo strukturat përkatëse të bujqësisë nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet dhe për të vlerësuar gjendjen reale në parcelat e dëmtuara.






Fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore dhe qendrore, si dhe mbështetje financiare për të përballuar humbjet e shkaktuara nga ngrica, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikojnë falimentimin. ALB365/Xhemil Beharaj









