AKTUALITETTOP-NEWS

Off the record/ Fjalët e Ramës në “funeralin politik” të Ballukut

30 minuta kundër Gjermanisë dhe fshikullimi i deputetëve anglishtfolës që raportojnë te diplomatët e huaj

Fjalët e fundit të Edi Ramës në takimin e sotëm me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, përpara se ai të shqiptonte emrat e ministrave që ndryshonin, ishin një hosana për Belinda Ballukun.

Një burim brenda takimit i tregoi Lapsi.al për lavdet e ditirambet që Rama thuri për ish-zëvendëskryeminstren, të pandehurën Belinda Balluku.

Duke numëruar punët e mira që sipas tij ajo ka bërë në gjithë këto vite, Rama e cilësoi si “të pazëvendësueshme” dhe se me largimin e saj nga kabineti “krijohet një boshllëk” i madh.

Fjalët e tij ishin një lloj “funerali politik” për gruan e cila më në fund ja hoqi Edi Ramës maskën e “dashnorit” të reformës në drejtësi dhe e shpërfaqi kryeministrin si një autokrat tipik ballkanik.

Në ndryshim nga Erion Veliaj, të cilit “funeralin politik” ia bëri në sheshin “Skënderbej”, Belinda Ballukut zgjodhi t’ja bënte jashtë kamerave në mbledhje me deputetët. 

Burimi ynë brenda takimit na tregoi edhe për aspekte të tjera të fjalës së Edi Ramës jashtë kamerave.

Ai foli me përbuzje të dukshme ndaj të vetëve që i japin më shumë gojës nëpër ambasada e diplomatë duke insinuuar hapur për Elisa Spirolalin, e cila ishte mes të larguarve nga qeveria. Këtë kategori Rama e cilësoi si “deputetë anglishtfolës”.

Natyrisht që për Spiropalin një veto të fortë te Edi Rama për largimin ka vendosur vetë Belinda Balluku, ‘armikja’ e përbetur e saj në PS. Kjo tashmë nuk përbën asnjë sekret në atë parti.

Sikundër nuk është sekret as që ministrat e rinj janë thjesht zgjatime të Belinda Ballukut, vartës të saj dhe katapultime që ish-zevendëskryeministrja i pati bërë kur ishte e gjithëpushtetshme.

Lapsi.al mëson gjithashtu se Rama pati nevojë t’u bënte një shpjegim deputetëve të tij për emërimet në qeveri dhe pozicionet kyc të administratës publike.

Ai mohoi që ministrat dhe drejtorët ia diktonte Belinda Balluku. Madje tha Rama, as Vali Bizhga s’ka pasur dijeni në shumicën e rasteve për lëvizjet në kupolën e pushtetit.

Dukshëm kryeministri ka një frustrim me të vetët, për gjithcka ata thonë prapa krahëve të tij dhe në korridoret politike e mediatike të Tiranës. Nuk duron dot as faktin kur ata thonë se në fakt fijet e vërteta të pushtetit të tij i ka lëvizur Belinda Balluku dhe jo ai vetë.

Vec “shkopit” Rama iu ofroi edhe “karrotën” deputetëve të tij kur tha se secilit prej tyre do t’i vinte radha për qeverisje pasi tani e tutje ndërrimet do të jenë të shpeshta si në një lojë basketbolli.

Ai njoftoi se asambleja e PS do të mblidhet në muajin mars dhe në muajin nëntor për të ndezur motorët për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Një moment tjetër që shenjoi takimin e sotëm dhe fjalën e Edi Ramës jashtë kamerave ishte revanshi i tij kundër Gjermanisë. Kryeministri fshikulloi gjermanët për ndërhyrje në dosjet e SPAK, sidomos dosja e AKSHI-t dhe ajo për tenderin e Porto Romanos, ku janë skualifikuar kompani me reputacion ndërkombëtar.

“Po shfrytëzojnë dobësitë tona për të na penguar”, mësohet të ketë thënë Rama ndër të tjera në një fjalim rreth 30 minuta pikërisht për rolin e Gjermanisë kundër qeverisë së tij duke përdorur në këtë rast influencën në SPAK dhe kanalet e tjera diplomatike.

Po kështu tha burimi i Lapsi.al Rama foli edhe për influncën gjermane në disa media ndërkombëtare për të goditur qeverinë e tij, sidomos në rastet e fundit të dosjes Balluku dhe AKSHI-t.

Një gjë është e qartë, tashmë Edi Rama nuk po shihet më njësoj në Bruksel pikërisht sepse ka zgjedhur të bëhet barrikadë ndaj drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun.

Mbrojtje të paktën deri në datën 12 mars kur pritet të vendoset me votim në Kuvend nëse do t’i hapet apo jo rruga arrestimit të saj. Lapsi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button