Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza.
U kap në flagrancë duke shitur një sasi lënde narkotike kanabis, të ndarë në doza, vihet në pranga 31-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në hetim një 43-vjeçar, pasi u kap duke blerë doza të lëndës narkotike kanabis.
Sekuestrohen 150 doza lënde narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një shumë parash, e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Fier, të mbështetura nga inteligjenca informative për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në Patos, kanë iniciuar një hetim njëjavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe si rezultat i provave të sigurura, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Fluger Xhafa, 31 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë po për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. K., 43 vjeç, banues në Patos.
Shërbimet e Policisë, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar shtetasin F. Xh. dhe e kanë kapur atë në flagrancë duke i shitur doza lënde narkotike kanabis, shtetasit B. K. Në vijim të veprimeve për këtë rast, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 31-vjeçarit, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 150 doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një sasi metadoni të lëngshëm, një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.