“Pa ujë në shekullin XXI” – Banorët e Kreshpanit ngrihen në protestë: Paguajmë fatura, por çezmat i kemi të thata

Cakran – Banorët e fshatit Kreshpanit kanë dalë në protestë paraditen e sotme, duke denoncuar mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm në banesat e tyre. Ata shprehen se, pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura nga njësia administrative e Cakranit në rrjetin e ujësjellësit, shtëpitë e tyre ende nuk janë lidhur me rrjetin furnizues.
Sipas banorëve, për të tretën herë është shtruar rrjeti i ujësjellësit në zonë, por lidhja me banesat nuk është realizuar, ndërsa mungon edhe lidhja me magistralen dhe depon kryesore që furnizon fshatin me ujë.
Më shqetësues, sipas tyre, është fakti se detyrohen të paguajnë faturat e ujit, ndonëse në çezmat e shtëpive nuk u shkon asnjë pikë ujë. Nëse vonojnë pagesat, ndaj tyre vendosen kamatëvonesa, duke i rënduar edhe më shumë ekonomikisht.










Banorët tregojnë se i vetmi burim ku furnizohen me ujë është një çezmë në qendër të fshatit, nga ku mbushin ujë jo vetëm katër lagjet e Kreshpanit, por edhe banorë nga zona përreth.
Gjatë muajve të verës prurjet e kësaj çezme pakësohen ndjeshëm dhe banorët paralajmërojnë se, nëse ajo thahet, do të detyrohen të sigurojnë ujë për të pirë dhe gatim nga liqeni i Frakullës.
“Uji është nevoja më jetike për çdo familje, por prej vitesh ne jetojmë me premtime dhe pa zgjidhje”, shprehen banorët.
Ata thonë se kanë bërë vazhdimisht ankesa pranë njësisë administrative Cakran, Bashkisë dhe ndërmarrjes së ujësjellësit, por deri më sot problemi i mungesës së ujit të pijshëm nuk ka marrë asnjë zgjidhje/ALB365









